Një grup prej 20 personash kanë bllokuar mbrëmë pikën kufitare në Merdarë nga drejtimi i Kurshumlisë në drejtim të Podujevës. Ata vendosën një kamion dhe traktorë në shenjë mbështetje për serbët në Kosovë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dalë me një njoftim pas bllokimit të pikëkalimit kufitar në Merdarë për shkak të vendosjes së barrikadave nga serbët në anën serbe.
Nga MPJD thonë se “grupet kriminale serbe kanë bllokuar pikën kufitare në Merdarë”.
“Njoftohen të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të shfrytëzojnë pika të tjera kufitare për qarkullim deri në një informim tjetër zyrtar nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës. Nëse keni hyrë tashmë në Serbi, atëherë ju lutemi t’i përdorni pikat kufitare ne Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të merrni rrugë përmes Maqedonisë së Veriut (pikë-kalimi kufitar i Preshevës) përmes Shkupit. Duke marrë parasysh faktin që janë në qarkullim shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës, ju lutemi të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”, thuhet në njoftim.
Për gjendjen në Merdarë është deklaruar edhe Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar. Në njoftim thuhet se në Republikën e Serbisë janë vendosur barrikada rreth dy kilometra nga kufiri.
“PKK. Merdare eshte i mbyllur per Hyrje-Dalje. Ne R.Serbis jane vendosur barikada rreth 2 kilometra nga Kufiri. Deri ne njoftim tjeter PKK merdare eshte e mbyllur. Te shfrytezohet PKK tjera”, thuhet në njoftim.
Sinjalizues të Gazetës Sinjali kanë dërguar pamje nga pika kufitare në Merdarë ku shihen një grup i personave të cilët kanë bllokuar pikën kufitare. Ndërsa, në vendin e ngjarjes shihen edhe policët e Serbisë të cilët përpiqen t’i largojnë personat.
Merdarja është pika kufitare më e përdorur nga diaspora që vjen në Kosovë, veçanërisht gjatë sezonit të verës dhe dimrit.
Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar. Serbët kanë vendosur barrikada që nga 9 dhjetori, si kundërshtim për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq, që dyshohet se organizoi sulmet ndaj komisioneve komunale zgjedhore.