Thaçi: Nuk do të lejojmë të ndodh modeli i Tirolit Jugor – nuk do të ketë Asociacion me elemente ekzekutive në Kosovë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë speciale dhënë RTV Dukagjinit, ka thënë se në asnjë rrethanë nuk do të lejojë që të ndodh ndonjë model i Tirolit Jugor, sovranitet të dyfishtë, Republika Srpska, Asociacion me elemente ekzekutive, por nga ky dialog të ndodh korrigjimi i padrejtësive historike, që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës.

Thaçi më tej ka shtuar se ideja e korrigjimit të kufijve asnjëherë nuk është shtruar në tavolinë, duke e quajtur ‘pazar’ nëse do të ndodhte.

Duke folur për takimin e ardhshëm i cili do të mbahet në Paris, Thaçi ka kërkuar që para kësaj të krijohen mundësitë e një takimi në Uashington, përcjell Telegrafi, pasi që sipas tij letrat të cilat i ka dërguar Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, janë udhërrëfyes për gjetjen e një zgjidhje në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që sipas tij këtë nuk e ka parë tek ndonjë lider tjetër evropian.

Ai theksoi se është në unitet të plotë me gjithë delegacionin kosovar dhe ka mohuar presionin ndaj kryeministrit për pezullimin e taksës.

“Vendosja e taksës si kusht për liberalizimin e vizave, është punë që i takon Qeverisë, dhe çdo vendim të tyre unë do ta respektoj, pushtet janë të ndara” ka thënë ai.

Sa i përket takimit të “Brdo Brioni-it” që do të mbahet me 8 dhe 9 maj në Tiranë, Presidenti ka thënë që nuk do të flitet për dialogun Kosovë- Serbi, dhe se pjesëmarrja e shefit politik të Republikës Srbska nuk paraqet lajm të mirë për Kosovën.

Intervista speciale dhënë për RTV Dukagjinin transmetohet sonte në orën 19:35./Telegrafi/