Thaçi: Kushtetutën nuk e shkel kurrë, por për ta ndryshuar po
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ishte i ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin ‘’5 Pyetjet nga Babaramo” në Report Tv për marrëveshjen e pritur me Serbinë, rishikimin e kufirit dhe situatën politike në Kosovë dhe në Shqipëri. Kreu i shtetit të Kosovës deklaroi se nëse marrëveshja me Serbinë nuk do të kalojë në Kuvendin e Kosovës do të japë dorëheqjen për ta dërguar në referendum.
“Edhe kritikët të mos mendojnë që do të shkel Kushtetutën.Kushtetutën nuk e shkel kurrë, por për ta ndryshuar po. Mund të arrijmë marrëveshjen, pastaj i propozohet Kuvendit të Kosovës, i cili e aprovon ose jo. Nëse Presheva, Medvegja dhe Bujanovci i bashkëngjiten Kosovës me marrëveshje, dhe Kuvendi i Kosovës nuk e aprovon, unë jap dorëheqjen ose shpall referendum.
E di që në referendum fitoj 80% sepse 99% e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc e përkrahin bashkëngjitjen me Kosovën dhe rreth 75-80% e qytetarëve të Kosovës aktualisht e mbështesin këtë bashkëngjitje. Kështu që unë po përçoj vetëm vullnetin e qytetarëve të Kosovës dhe të Preshevës” tha ai.
Ai mohoi që marrëveshja përfshin lëshim të territoreve nga Kosova. Presidenti i Kosovës deklaroi se është gati që të shkojë në gjykatën e Hagës nëse e thërrasin për të dëshmuar. Thaçi i bëri thirrje Haradinajt nga Tirana që të heqë taksën për mallrat nga Serbia, pasi ato po futen kontrabandë dhe miqësia me SHBA-në po dëmtohet. Duke u ndalur te situata politike në Shqipëri pas djegies së mandateve nga opozita, Thaçi ka kërkuar dialog mes palëve, e ndërkohë që ka komentuar edhe darkën me kryeministrit Rama në banesën e tij të re.
Thaçi tha se reformat që ka ndërmarrë Rama i kanë munguar Shqipërisë në një shekull, ndërsa vlerësoi se qëndrimi i kryeministrit shqiptar në Beograd për njohjen e pavarësisë së Kosovës ishte prej burri shteti. Ndërkohë që referuar deklaratave nga politikanë në të dyja anët e kufirit për cështje kombëtare ai tha se ‘Është mirë që të mos pretendohet për të krijuar një monopol kombëtar, gjë që nuk i takon askujt”.