Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar se do ta kundërshtojë në Gjykatën e Apelit vendimin e Gjykatës Speciale lidhur me mënyrën e llogaritjes së dënimit prej 17 muajsh burgim, të shqiptuar ndaj tij për pengim të administrimit të drejtësisë.
Në një shkresë të dorëzuar më 23 nëntor në Dhomat e Specializuara të Kosovës, avokatja Sophie Menegon ka bërë të ditur se ekipi mbrojtës rezervon të drejtën për të apeluar vendimin lidhur me vuajtjen e njëkohshme të dënimeve në rastet 06 dhe 12, si dhe llogaritjen e kohës së kaluar nga Thaçi në paraburgim, transmeton lajmi.net.
Më 17 nëntor 2026, Gjykata Speciale e shpalli Thaçin fajtor për disa vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe e dënoi me 17 muaj burgim.
Megjithatë, mbrojtja kundërshton mënyrën se si është trajtuar periudha e paraburgimit, duke argumentuar se koha e kaluar në paraburgim në kuadër të Rastit 12 duhej të përfshihej në llogaritjen e dënimit.
Sipas avokates Menegon, nëse kjo periudhë do të ishte marrë parasysh, Thaçi tashmë do ta kishte përfunduar dënimin dhe do të duhej të ishte liruar.
“Po t’i ishte njohur z. Thaçi koha e kaluar në paraburgim që nga njoftimi për fletarrestimin në Rastin 12, dënimi i tij në këtë rast do të konsiderohej i vuajtur dhe ai do të ishte liruar”, thuhet në shkresën e mbrojtjes.
Në vendimin e saj, gjykata kishte arsyetuar se koha e kaluar në paraburgim nga Thaçi, në bazë të dy fletarrestimeve të ndara, nuk mund të llogaritej për dy dënime që lidhen me vepra të ndryshme dhe të palidhura mes vete.
Ndërkohë, mbrojtja ka bërë të ditur se aktualisht nuk planifikon të paraqesë parashtrime të veçanta për vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit, por ka ruajtur të drejtën për të apeluar aktgjykimin, përfshirë çështjen e mosllogaritjes së njëkohshme të dënimeve dhe kreditimit të kohës së kaluar në paraburgim.
