Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha mbrëmjen e sotme në studion e Opinion se ish-kryeministri Sali Berisha është një “gërmadhë politike”, duke e akuzuar për qëndrime armiqësore ndaj UÇK-së gjatë kohës së luftës.
Thaçi foli edhe për rolin e Ramës në dialogun Kosovë-Serbi duke e quajtur atë konstruktiv dhe bashkëpunues .
“Unë çuditem si zoti Berisha nuk ka pasur guximin qytetar dhe as politik ta kundërshtojë opinionin e këtij projekti nga presidenti Rugova, akademiku Qosja dhe Daci. Zoti Berisha ka bërë mëkate të mëdha ndaj luftës së Kosovës, paralele me luftën e Milloshevicit ne terren, ka qenë dhe propaganda e zotit Berisha për UÇK-në maksiste-leniniste etj. Kam shkuar në zyrën e tij pas lufte dhe kemi pasur komunikim. Kur kam qenë kryeministër, kemi pasur respekt reciprok. Tani nuk kuptoj dhe shprehem i keqardhur për gjendjen e tij emocionale, si gërmadhë e skenës politike shqiptare.
Roli i Ramës ka qenë shumë konstruktiv, shumë bashkëpunues, pa marrë anë dhe pa interferuar. Shkoi në Beograd dhe foli si asnjëherë një lider shqiptar, burrështetas që i tha në sy Vuçiçit që të njohë Kosovën.
Ai nuk ka marrë pjesë në takime mes nesh dhe Serbisë, thjesht ka mbështetur pozicionin e Kosovës. Sa i përket takimit të Ramës në Serbi, unë nuk kam qenë aty, por besoj në atë që ka thënë në konferencën për shtyp që ka mbrojtur Kosovën.
Nuk e di në ka folur me Vuçiçin. Nuk më ka thënë gjë. Kemi folur gjerë e gjatë bashkë për gjetjen e një marrëveshjeje”, u shreh Thaçi.