Raportuesi për Kosovën në Parlamentit Evropian, Riho Terras, ka zhvilluar të martën takime me zyrtarë të lartë në Prishtinë, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe procesin e integrimit evropian.
Përmes një postimi në platformën X, Terras njoftoi se është takuar me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, si dhe kryetarin e PDK-së Bedri Hamza.
“Përshëndetje nga Prishtina! Këtë mëngjes u takova me Albulena Haxhiun, Glauk Konjufcën dhe Bedri Hamzën. Diskutuam për politikën në Kosovë dhe zgjerimin e Bashkimit Evropian”, shkroi Terras.
Ai ritheksoi se perspektiva e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por theksoi se rruga drejt anëtarësimit kërkon vazhdimin e reformave.
“E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, por anëtarësimi kërkon reforma. Ne po punojmë për këtë”, shkroi eurodeputeti estonez.
Vizita e Terrasit në Kosovë vjen në një periudhë kur vendi synon avancimin e procesit të integrimit evropian dhe pas aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.








