Tërhiqet Infantino, FIFA heq dorë nga plani për t’ua shitur të drejtat e Botërorit fondeve private

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, njoftoi zyrtarisht tërheqjen e projektit “FIFA Forward Enterprise” (FFE), i cili parashikonte krijimin e një shoqërie për menaxhimin e të drejtave tregtare, licencave dhe organizimit të garave globale, përfshirë Botërorin, me pjesëmarrjen e investitorëve privatë.

Plani, që sipas Infantinos do të krijonte burime të reja financimi për 211 federatat anëtare, hasi në kundërshtime të forta nga UEFA, AFC, konfederata të tjera, drejtues të FIFA-s dhe ish-këshilltari Carlos Cordeiro, i cili dha dorëheqjen duke e cilësuar nismën të dëmshme.

Në deklaratën zyrtare thuhet: “Pasi dëgjuam me kujdes të gjitha pikëpamjet, u bë e qartë se projekti ka krijuar ndarje të tilla sa nuk është më në interes të objektivit të vendosur. Synimi ynë ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë ta bashkojmë dhe përmirësojmë futbollin. Për rrjedhojë, ky propozim nuk do të vazhdojë”.

Infantino shtoi se tani synon të ribashkojë të gjitha palët dhe të vazhdojë zhvillimin e futbollit, veçanërisht në vendet që kanë më shumë nevojë për mbështetje. Vendimi u mirëprit nga AFC, ndërsa presidenti i saj, Sheikh Salman bin Ebrahim Al Khalifa, vlerësoi rëndësinë e transparencës dhe dialogut në vendimmarrje.

The post Tërhiqet Infantino, FIFA heq dorë nga plani për t’ua shitur të drejtat e Botërorit fondeve private appeared first on Telesport.