Tenderi 1.9 milionësh në QSKUK – Bora Dental nuk e komenton denoncimin për vjedhje: Kemi vepruar sipas Ligjit

Kompania Bora Dental është ankuar në raportim tendencioz për tenderin 1.9 milionësh të Qendrës Stomatologjike Klinike (QSKUK), për të cilin Paparaci raportoi të enjten me dokumente zyrtare.

Taulant Gashi, njëri nga pronarët e Bora Dental, të cilës dyshohet se i është shtruar rruga për fitimin e tenderit milionësh të QSKUK pas një beteje të gjatë mes tre operatorëve në instancat e prokurimit publik, ka thënë të enjten se kompania ka vepruar në përputhje me Ligjin gjatë tërë kohës së zhvillimit të procedurave lidhur me tenderin.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin, Gashi fillimisht është ankuar për kohën mes pranimit të pyetjeve nga gazeta dhe publikimit të artikullit, e cila ka qenë pothuajse një orar pune i plotë.

“Fillimisht, shprehim shqetësimin tonë serioz lidhur me mënyrën e trajtimit të kësaj çështjeje nga ana e gazetës suaj. Pyetjet na janë dërguar në ora 09:54, ndërsa artikulli është publikuar rreth orës 15:30 të së njëjtës ditë, pra brenda rreth 5 orë e 30 minutash, pa na dhënë kohë të arsyeshme për të ofruar përgjigje dhe sqarime zyrtare. Konsiderojmë se një qasje e tillë krijon perceptim të njëanshëm dhe paragjykues, sidomos duke pasur parasysh se procedura e prokurimit ende ndodhet në fazë vlerësimi dhe nuk ekziston asnjë vendim përfundimtar nga Autoriteti Kontraktues”, ka thënë Gashi.

Ankesat i ka vazhduar edhe për përmbajtjen e artikullit, të cilën e ka quajtur “tendencioze” dhe “instinuata të pabazuara”.

“Po ashtu, konsiderojmë se artikulli i publikuar përmban elemente tendencioze dhe insinuata të pabazuara, të cilat cenojnë reputacionin e kompanisë sonë. Në rast të vazhdimit të raportimeve të tilla, pa verifikim të plotë të fakteve dhe me përmbajtje paragjykuese, do të rezervojmë të drejtën për t’iu drejtuar organeve kompetente, përfshirë KPM-në, si dhe për të ndërmarrë hapa të tjerë ligjorë për mbrojtjen e reputacionit dhe interesave tona”, ka thënë ai në përgjigje me shkrim, e cila ka arritur në emailin e redaksisë të enjten në orën 18:02.

“Bora Dental ka vepruar gjatë gjithë kohës në përputhje me Ligjin për Prokurimin Publik dhe të gjitha veprimet tona janë zhvilluar përmes procedurave të rregullta dhe mjeteve juridike të parapara me legjislacionin në fuqi”, ka pretenduar Gashi.

Por, përfaqësuesi i kompanisë që fillimisht e kishte denoncuar tenderin si veprimtari të paligjshme dhe vjedhje të parasë publike me pretendimin se çmimi i tenderit të QSKUK-sl e tejkalonte vlerën reale në treg të pajisjeve, nuk e ka komentuar atë.

Ka deklaruar se kompania nuk e konsideron të arsyeshme të komentojë derisa ofertat për tenderin ndodhen në shqyrtim.

“Për shkak se procedura e prokurimit është ende në zhvillim dhe nuk ka një vendim përfundimtar nga Autoriteti Kontraktues, në këtë fazë nuk konsiderojmë të arsyeshme të komentojmë më tej në detaje lidhur me çështjen”, ka thënë Gashi.

Tenderi i QSKUK-së, i shpallur në shtator të vitit të kaluar me vlerë të parashikuar të kontratës prej 1,889,000.00 euro, parasheh furnizimin e klinikës me pajisje dentare dhe laboratorike të cilat përdoren për trajtimin dhe diagnostikimin e pacientëve në kuadër të shërbimeve stomatologjike publike.

Specifikat teknike të këtij tenderi janë ndryshuar disa herë gjatë procedurës, e cila ka kaluar dy herë nëpër filtrat e Organit Shqyrtues të Prokurimit, mekanizmit kryesor mbikëqyrës të prokurimit publik.

Ndryshimet dyshohet se i shkojnë përshtat pikërisht kompanisë Bora Dental Sh.P.K., e cila fillimisht e akuzonte QKSK-në për “vjedhje” dhe “planifikim kriminal” të buxhetit për këtë procedurë.

Ajo e kishte denoncuar publikisht tenderin si veprimtari të paligjshme dhe vjedhje të parasë publike.

Kompania, në pronësi të Yll Bajramit dhe Taulant e Fisnik Gashit, e kishte akuzuar vitin e kaluar QSKUK-në për tejkalim të vlerës së kontratës për rreth 900 mijë euro. Bazuar në këtë denoncim të kompanisë, vlera reale e pajisjeve të kërkuara nuk e kalonte shumën prej 900 mijë euro.

“Vlera reale e pajisjeve të kërkuara në treg nuk kalon 900,000 euro, ndërsa tenderi është shpallur në 1,899,000 euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 1 milion euro që përbën vjedhje të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit”, pretendonte Bora Dental Sh.P.K. në një ankesë të dorëzuar në OSHP-së më 7 tetor të vitit të kaluar.

Kjo procedurë “nuk është vetëm e paligjshme dhe diskriminuese, por përmban shenja të qarta të një veprimi kriminal që do të duhej hetuar menjëherë”, bënte thirrje urgjente kompania në ankesë.

Por, rrethanat ndryshuan brenda më pak se një viti. Ndryshoi edhe oferta e kompanisë Bora Dental Sh.P.K..

Në prill të këtij viti, pas ndryshimit të kritereve dhe specifikave të tenderit sipas ankesës së kompanisë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, kompania u vendos në pozitë kontradiktore me vetveten, duke ofertuar për të njëjtin tender me çmim prej 1.7 milion eurosh, ndonëse më herët kishte pretenduar se vlera reale e pajisjeve nuk e kalonte shumën prej 900 mijë eurosh.

Oferta e fundit e Bora Dental peshon saktësisht 1,720,122.18 euro, bazuar në procesverbalin zyrtar të hapjes së ofertave të datës 14 prill. Tenderi i saj tash është dukshëm më i lartë sesa i dy operatorëve konkurrentë të cilët kanë ofertuar me çmime 1.27 milion dhe 1.34 milion euro.

QSKUK-ja nuk ka komentuar ende mbi procedurën e dyshimtë të tenderimit, edhe pse Paparaci ka kërkuar të mërkurën sqarime nga Qendra Stomatologjike Klinike e Kosovës.