Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku, ka reaguar ashpër para votimit të paralajmëruar në Kuvend për zgjedhjen e dy gjyqtarëve të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, duke ngritur shqetësime për, siç thotë ajo, rrezikun e “kapjes institucionale”.
Në një deklarim publik, Lushaku theksoi se votimi i së enjtes nuk është një proces i zakonshëm, por një moment vendimtar për shtetin.
“Nesër në Kuvendin e Kosovës votohet për dy gjykatës të Kushtetueses. Nuk do të votohet vetëm për disa emra. Nesër votohet për vetë shtyllën e shtetit tonë, për drejtësinë, për Kushtetutën, për të ardhmen e Republikës së Kosovës”, deklaroi ajo.
Sipas saj, procesi rrezikon të komprometohet nëse në listë përfshihen kandidatë me lidhje politike apo familjare.
“Kur në listë dalin kandidatë, familjarë me lidhje të afërta me propagandues politik, atëherë nuk kemi më proces të drejtë e të pastër. Kemi tentativë për kontroll e kapje institucionale”, u shpreh deputetja e LDK-së.
Ajo paralajmëroi se një zhvillim i tillë do ta shndërronte Kushtetuesen në instrument të pushtetit.
“Kushtetuesja është gardian i Kushtetutës. Jo mburojë për partinë në pushtet e as strehë për të afërmit e tyre… Kushtetuesja duhet të qëndroj mbi politikën dhe jo nën të”, theksoi Lushaku.
Në fund, ajo u bëri thirrje deputetëve që të reflektojnë para votimit, duke e cilësuar këtë si një provë për funksionimin e shtetit ligjor.
“Është pikërisht ky moment që të vendosim: A duam Gjykatë të pavarur, apo drejtësi të kapur që i shërben pushtetit?! Nëse kapet Kushtetuesja, lëkundet vetë shteti”, përfundoi ajo.









