Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj F.S., L.R., dhe N.S., që dyshohen për korrupsion dhe vepra të tjera penale.
“Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.S. për shkak të veprave penale, Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, Keqpërdorimi i informatës zyrtare dhe veprës penale Marrja e ryshfetit, ndaj të pandehurit L.R. për shkak të veprave penale Mashtrimi dhe Falsifikimi i dokumentit si dhe ndaj të pandehurit N.S. për shkak të veprave penale Falsifikim i dokumenteve, Legalizim i përmbajtës së rremë dhe veprës penale Deklarim i rremë nën betim”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“Gjyqtari i procedurës paraprake pas dëgjimit të palëve në procedurë dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, përmes Aktvendimit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit si të pa bazuar dhe ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S. ka caktuar masën Ndalimi për të iu ofruar vendit apo personit të caktuar, e cila masë të pandehurve iu është caktuar në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin, duke u llogaritur nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026”.
Sidoqoftë, gjykata po ashtu ka urdhëruar masën Paraqitje në stacionin policor të të pandehurve.
“Gjykata ka urdhëruar masën Paraqitja në stacionin policor ndaj të pandehurve F.S., L.R. dhe N.S., e cila masë do të llogaritet në kohëzgjatje prej një (1) muaji, duke filluar nga data 07.05.2026 deri më datë 07.06.2026. Gjykata mund të caktoj masën e paraburgimit, nëse të pandehurit nuk respektojnë masën e shqiptuar. Me rastin e vendosjes gjykata konstatoi se me masat e lartcekura tani për tani do të arrihet që procedura penale të zhvillohet e pa penguar”.
Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.









