Taksa i ka aktivizuar kontrabandistët, mbi 230 raste për pesë muaj

Që nga dita kur është vendosur taksa 100 për qind, Serbia ka humbur miliona euro nga importi i mallrave në Kosovë.

Por, taksa 100 për qind, përveç dëmeve që i ka shkaktuar ekonomisë së Serbisë, i ka sfiduar mjaftë shumë institucionet e sigurisë në Kosovë, shkruan lajmi.net.

Nëpër rrugët dytësore që mundësojnë kalimin nga Serbia në Kosovë, gjatë kësaj periudhe janë kapur shumë raste të kontrabandës.

Ekspertët e ekonomisë, pas vënies së taksës kishin paralajmëruar një rrezik që i kanoset Kosovës nëpërmjet kontrabandës dhe ekonomisë informale.

Madje, edhe pas shumë muajsh nëpër marketet e Kosovës nuk mungojnë produktet ushqimore që janë me origjinë nga Serbia, e për këtë asnjëherë nuk u dha shpjegim i qartë.

Sipas Doganës së Kosovës, këta të fundit kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar kontrabandën dhe për të zbatuar 100 për qind vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Në këtë përgjigje gjithashtu zbulohet se zonat më të dyshuara ku është tentuar kontrabanda me mallra janë në rajonin e Mitrovicës.

“Në periudhë kohore, prej datës 21 nëntor 2018 e deri më 12.04.2019, Dogana ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet për zbatimin e këtyre vendimeve qeveritare. Ka vendosur në sistemin doganor masat mbrojtëse 100 për qind dhe ka rritur kapacitetet e kontrollit në vendkalimet kufitare të Kosovës, ku janë kontrolluar 100 për qind e të gjitha dërgesat nga Serbia dhe Bosnja pa dallim të vendit të origjinës. Dogana e Kosovës ka shtuar numrin e ekipeve anti-kontrabandë duke rritur aktivitetet dhe operuar 24 orë në zonat ku dyshohet se ka tentime të kontrabandës me mallra, në veçanti në rajonin e Mitrovicës”, thuhet në përgjigjen e Doganës së Kosovës për lajmi.net.

Gjithashtu në këtë përgjigje thuhet se në 1047 aktivitete të planifikuara patrulluese në zonat me risk janë kapur mbi 230 raste të kontrabandës.

“Këto njësi kanë ndërmarrë 1047 aktivitete të planifikuara patrulluese në zonat me risk, që ka rezultuar me zbulimin e mallrave kontrabandë në mbi 230 raste. Përpos veprimeve në zonat me risk sektorët relevant të Doganës kanë rritur kontrollin tek subjektet ekonomike edhe në brendi të vendit, ku janë ndërmarrë rreth 166 aktivitete kontrolli në lokacionet e subjekteve tregtare. Kontrollet janë kryer me fokus në mallra të kontrabanduara”, thuhet në fund në përgjigjen e Doganës.

Së në Kosovë po hyjnë mallra përmes kontrabandës kishte thënë edhe ministri i Tregtisë i Serbisë, Rasim Ljajiq.

Ai kishte deklaruar se mallrat serbe në Kosovë hyjnë nëpërmjet rrugëve dytësore dhe nëpërmjet kontrabandës.

“…nëse shikohet në veri apo në jug të Kosovës, gjithkund mund të hasen mallrat nga Serbia të cilat mbërrijnë atje përmes rrugëve të ndryshme”, kishte thënë Ljajiq.

Një gjë të tillë e kishte mohuar kategorikisht edhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë edhe Doganat e Kosovës duke thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Raste të ndryshme të hyrjes së mallrave serbe në Kosovë ka pasur edhe nëpërmjet Maqedonisë, ku gruri serb – përpunohej në shtetin maqedonas dhe hynte në Kosovë i ri-paketuar gjë që sipas institucioneve nuk përfshihet nga taksa 100 për qind.

Në rajonin e Mitrovicës rastet e kontrabandës kanë qenë shumë të shpeshta, madje, shpesh janë kapur edhe kamionë të tërë me mallra serbe të cilat kanë tentuar t’i shmangen detyrimeve doganore.