Tahiri e quan Kurtin ‘mashtrues të sofistikuar’: Dëshiron të mos diskutohen dështimet e tij 4-vjeçare

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, e ka quajtur kryeministrin e vendit, Albin Kurti, mashtrues të sofistikuar.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Tahiri ka thënë se diskutimet për Urën e Ibrit po bëhen qëllimisht që të mos diskutohen në publik ‘dështimet 4-vjeçare’ të Kurtit.

Sipas tij, përderisa po flitet për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë, Kosova “është një shtet totalisht i izoluar në rrafshin ndërkombëtar e i bllokuar në rrafshin e brendshëm, ku askush nuk mund të bëjë një rrugë 30-të kilometërshe për secilin drejtim si: Podujevë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan apo kudo pa i planifikuar, të paktën dy orë rrugë”.

Shefi i deputetëve të AAK-së ka akuzuar Qeverinë Kurti edhe për procesin e subvencionimit me libra shkollorë, duke thënë se po shtypet e drejta elementare e qytetarit.

Sipas Tahirit, Kurti e ka hapur vetëm një urë, ‘atë të Saradranit’.

“Ai po donë që këtë popull me lidhë me një shtyllë afër urës dhe çdo ditë të na tregojë se a është lyer ura, a mund të kalojë një kamion, a foli me komandantin e KFOR-it apo jo. Shihni përtej kësaj, ky është një mashtrues i sofistikuar, i cili po e përmbyllë mandatin e tij me një sukses të vetëm – urën e Saradranit. Po e përmbyll mandatin duke e shkelur secilin zyrtar publik, duke e shtypur secilin zë të lirë, si në media ashtu edhe në shoqëri”, ka shtuar ai.