Policia ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” në Mitrovicën e Jugut.
Sipas njoftimit në Facebook, pas veprimeve operative dhe hetimore, ekzistojnë dyshime se i arrestuari sot, rreth orës 01:30, ka sulmuar me thikë një person, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Viktima fillimisht ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm.
Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes, policia thotë se ka sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së veprës penale.
“Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit po vazhdojnë nga Sektori Rajonal i Hetimeve”, thotë PK./Klankosova.tv








