Sulm me dron në rajonin e Moskës, tre të vrarë dhe pesë të plagosur

Tre persona kanë humbur jetën dhe pesë të tjerë janë plagosur si pasojë e një sulmi me dhjetëra dronë në rajonin e Moskës, njoftoi guvernatori rajonal Andrei Vorobyev.

Sipas tij, në fshatin Pionersky, në distriktin Istra, tre persona u vranë dhe tre të tjerë u plagosën pasi një dron u rrëzua në zonë. Ndërkohë, në Solnechnogorsk, dy persona mbetën të plagosur kur një dron goditi një pallat apartamentesh.

Vorobyev bëri të ditur se gjatë natës mbrojtja ajrore ruse rrëzoi gjithsej 81 dronë që kishin në shënjestër rajonin.

Ndërkohë, në rajonin jugperëndimor të Stavropolit, guvernatori Vladimir Vladimirov deklaroi se forcat ruse zmbrapsën një tjetër sulm me dronë ukrainas.

Sipas tij, sulmi shkaktoi një zjarr në zonën industriale të fshatit Vyazniki, në distriktin Spakovsky, por nuk pati viktima.

Forcat ukrainase kanë intensifikuar sulmet me dronë ndaj territorit rus gjatë muajve të fundit, duke synuar kryesisht objektet e infrastrukturës energjetike, me synimin për të goditur burimet që financojnë luftën e nisur nga Moska në shkurt të vitit 2022.

Nga ana tjetër, Rusia vijon sulmet e përditshme ndaj territorit ukrainas, ndërsa lufta, tashmë në vitin e saj të pestë, vazhdon pa shenja konkrete për një zgjidhje diplomatike.