Një punonjës i OShEE-së ka humbur jetën tragjikisht në orët e para të mëngjesit të sotëm, gjatë një ndërhyrjeje për riparimin e një defekti në rrjetin elektrik në zonën e Himarës.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00, në një kohë kur moti i lig dhe erërat e forta kishin shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona të Himarës, raporton Top Channel.
Viktima është një 55-vjeçar nga Elbasani, i cili ishte dërguar për të ndihmuar ekipet lokale të OSHEE-së në rikthimin e energjisë.
55-vjeçari ka qenë i ngjitur në shtyllë, duke tentuar të rilidhë një kabull energjie, kur i është shkëputur rripi i sigurisë që e lidhte për mesi. Kjo ka bërë që të rrëzohet nga shtylla në një lartësi 9 metra, e për pasojë të vdesë.
Ende nuk janë sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa dyshimet e para janë se ai mund të jetë goditur nga rryma elektrike.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes, ndërsa pritet edhe ekspertiza teknike që do të zbardhë plotësisht rrethanat e këtij aksidenti tragjik.








