Në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, u diskutua për vendosjen e gurthemelit të kishës në Zogaj, proces ky që është përcjellë me kundërshtime nga disa prej banorëve të zonës.
Arbër Gashi tha se banorët e kanë të qartë historinë dhe përvojat e tyre, duke kundërshtuar mënyrën se si, sipas tij, po trajtohet kjo çështje.
“Edhe me marrë abdes e krejt, neve s’ka çka na tregoni. Ne e dimë. Duhet t’ua tregoni atyre që nuk i dinë këto punë, jo neve që i kemi përjetuar. Familjet tona kanë shkuar në Turqi dhe i kanë përcjellë me hoxhallarë. Duhet t’ia tregoni dikujt tjetër, jo neve që na i kanë prerë fëmijët në djep Serbia.
Pra, duhet ta dini me kë po merreni, zotëri. Nëse ne kemi qenë atëherë ekstremistë, jemi edhe sot të njëjtët njerëz. Kemi qenë për Jugosllavinë, kemi qenë ekstremistë dhe jemi ende të njëjtit njerëz. Neve nuk mund të na ndryshojë as Tito, as Rankoviqi, as Muhamedi, as Allahu, as askush. Jemi shqiptarë dhe kur themi njëherë ‘jo’, atëherë është ‘jo’”, tha Gashi.
Ai foli edhe për raportet me Bashkësinë Islame të Kosovës, duke thënë se, sipas tij, pas zhvillimeve të fundit nuk ka më hapësirë për dialog.
“Sa i përket lëvizjes për rikthim, nëse quhemi ekstremistë në këtë drejtim, po, ne kemi pasur derën e hapur për dialog me Bashkësinë Islame të Kosovës. Por, me këto zhvillime dhe me këto kërcënime të hapura të myftiut, me ne nuk do të ketë kurrë dialog. Këtë le ta dinë sot. Deri tash ka pasur derë të hapur, tash e tutje nuk ka më derë të hapur. Te ne nuk ka dialog, nuk ka më dialog me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Sepse të na ofendosh, të na kërcënosh familjet, të na kërcënosh ne pa bërë asnjë gjë të keqe, nuk është e drejtë. Ti thua se do të ketë djegie të Kuranit, thua se do të ketë ngjitje të kryqeve dhe tenton t’i kriminalizosh qytetarët e lirë të Kosovës. Ne të themi: kujdes çfarë po bën. Kur nuk ndalesh, duhet të dalë dikush e të thotë: ‘Stop, deri këtu dhe më tutje nuk ec’”, tha Arbër Gashi.
Ndërsa, profesori dhe juristi Ubejt Gashi u shpreh se e drejta për besim dhe ndërtim të objekteve fetare duhet të respektohet, por njëkohësisht duhet të ndiqen procedurat ligjore.
“Tema ndoshta do të duhej të specifikohej kështu: kisha në kodër ku s’ka asnjë katolik. Kjo është çështja. E drejta për të ndërtuar është normale. Kush i ka dalë ndonjëherë dikujt përpara kur ka dashur të ndërtojë? Kurrë. Ne jemi shtet juridik, shtet i rendit kushtetues. Unë, si jurist, mund ta shpjegoj çështjen juridike.
E drejta e çdo njeriu është e garantuar. Kushtetuta jonë, në kapitullin për liritë dhe të drejtat e njeriut, përcakton edhe obligimet ndaj këtyre lirive dhe të drejtave. Nuk është askush kundër tyre. Kurrë nuk ka qenë”, tha Gashi.
Ai theksoi se, që nga viti 1999, sipas tij, askush nuk i ka penguar ndërtimet e objekteve fetare, por kërkoi respektimin e procedurave ligjore.
“Prej vitit 1999 e këndej, kush i ka penguar? Askush nuk i pengon. As këtu nuk ka për t’i penguar. Mirëpo është kërkuar pak ‘fair play’. A keni katolikë? Jo. Por, përmes peticionit, kërkoni që të respektohen rregullat dhe ligjet për ndërtimin e kishës.
Drejtojuni Kuvendit Komunal dhe organeve komunale. Ndërtimi rregullohet me ligje dhe me rregullat e zonave kadastrale. Nëse e fitoni të drejtën në mënyrë të rregullt, në rregull.
Këtu kemi një rast të një kodre ku nuk ka askush katolik dhe të drejtën mbi pronën e ka marrë një person. Për atë person e dimë se ka edhe një kallëzim penal, për shkak të deklaratave të tij të pamatura. Por nuk ka nevojë të merremi me këtë. Në qoftë se është shqiptar, në qoftë se është katolik, për mua nuk ka rëndësi. As për mua, as për askënd”, tha Ubejt Gashi. /









