​Sot shënohet Dita Botërore kundër duhanit

Çdo vit në 31 maj, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët organizojnë Ditën botërore pa duhan.

Qëllimi i kësaj dite është rritja e ndërgjegjësimit lidhur me rreziqet që sjell përdorimi i duhanit, si dhe ndërmarrja e politikave efektive me qëllim uljen e përdorimit të tij.

Me rastin e kësaj dite, Organizata Botërore e Shëndetësisë tërheq vëmendjen ndaj efekteve të dëmshme të duhanpirjes dhe ekspozimit ndaj tymosjes pasive, si dhe këshillon kundër përdorimit të duhanit në çfarëdo lloj forme.

Nën temën “Zotohu dhe lëre”, fushata e sivjetme e OBSH-së për Ditën botërore pa duhan përqendrohet në sigurimin e mjeteve dhe burimeve të nevojshme për personat që duan ta lënë duhanin, në mënyrë që ata të kenë sukses në përpjekjen e tyre.

Duhani është një faktor kryesor risku për sëmundjet jongjitëse, siç janë sëmundjet kardiovaskulare, kanceri, sëmundjet e frymëmarrjes dhe diabeti.

Përfitimet e lënies së duhanit janë pothuajse të menjëhershme. Pas vetëm 20 minutash pa duhan, ulen rrahjet e zemrës, brenda 12 orësh bie në nivel normal monoksidi i karbonit në gjak, brenda 2-12 javësh, përmirësohet qarkullimi i gjakut dhe rritet funksioni i mushkërive.

Brenda 1-9 muajve zvogëlohen kollitja dhe gulçimi. Brenda 5-15 vjetësh, risku i goditjes në tru bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin. Brenda 10 vjetësh, shkalla e vdekshmërisë nga kanceri i mushkërive përgjysmohet krahasuar me atë të duhanpirësve. Brenda 15 vjetësh, risku i sëmundjeve së zemrës bie në nivelin e riskut për persona që nuk e pinë duhanin.

Ndryshe, shanset që duhanpirësit ta lënë duhanin me sukses janë 84% më të mëdha kur marrin këshillim intensiv nga mjeku.

Në nivel botëror, rreth 39% e burrave dhe 9% e grave janë duhanpirës. Normat më të larta të duhan-pirjes gjenden aktualisht në Evropë, në nivel prej 26%, ndërkohë që parashikimet tregojnë një rënie prej vetëm 2% deri në vitin 2025 nëse qeveritë nuk ndërmarrin veprime urgjente./KP