Sorensen merr përsipër dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Danezi, Peter Sorensen nga sot do të merr përsipër dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke zëvendësuar kështu sllovakun, Mirosllav Lajçak i cili për gati pesë vite ka menaxhuar me procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mandati i Sorensen nisi zyrtarisht sot, kur ai menjëherë u takua me ambasadorin evropian në Kosovë, Aivo Orav.

 

Orav është shprehur i bindur se përvoja e gjerë diplomatike e Peter Sorensen do të ndihmojë në avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sorensen nga Danimarka, Orav nga Estonia si dhe bashkatdhetarja e tij, kryediplomatja evropiane, Kaja Kallas janë zyrtarët kyç të BE-së që tash e tutje do merren me çështjet e Kosovës, rrjedhimisht edhe Serbisë.

Mirëpo, Sorensen si emisar për dialog, dhe Kallas si përfaqësuese e lartë në portofolin e të së cilës përfshihet procesi i normalizimit të marrëdhënieve, marrin përsipër bisedimet në një moment tejet të komplikuar.

Procesi si i tillë, gjatë mandatit të Lajçakut jo vetëm se ka ngecur, por madje ka përjetuar zmbrapsje.

Sipas disa zyrtarëve evropianë, Kallas mëton ndryshimin e qasjes në dialog, duke u marrë ekskluzivisht me takimet e liderëve, ndërsa Sorensen do të menaxhoj me dialogun në nivel kryenegociatorësh.

 

Mirëpo takimet e liderëve ishin të pakta edhe në pesëvjeçarin e Miroslav Lajçakut, ndërsa është e zbehtë perspektiva se mund të realizohet një takim në nivelin më të lartë politik në ndonjë të ardhme të afërt.

Periudha postzgjedhore në Kosovë, si dhe kriza e brendshme në Serbi janë elemente rënduese në këtë drejtim.

Gjithashtu sulmet që ndodhën në sovranitetin dhe infrastrukturën e shtetit kosovar si dhe parakushtet eksplicite të shtruara nga kryeministri i Kosovës për një takim të mundshëm, në këtë moment duken vështirë të zbatueshme nga Beogradi zyrtar.

Sido që të jetë, me apo pa takime të liderëve në periudhën në vijim, Bashkimi Evropian nuk do ndalet së kërkuari zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.

Porositë e kërkesat mbesin të njëjta, por ato tani do vijnë nga zyrtarë evropian që vijnë nga shtete që e njohin pavarësinë e Kosovës. Me dialog më nuk do merren politikanë nga ato vende që kontestojnë shtetësinë e vendit.

Ndonëse si Josep Borrel ashtu edhe Mirosllav Lajçak, gjithnjë e kanë mohuar se kjo gjë mund të paraqet pengesë eventuale, megjithatë prejardhja e tyre gjeografike ka bërë që porositë dhe qasja e tyre të shikohen me rezervë./RTK