Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka deklaruar se mbajtja e zgjedhjeve të reja do të ishte e dëmshme për Kosovën, duke vlerësuar se situata aktuale politike po ndikon negativisht në ekonomi dhe në procese të tjera të rëndësishme në vend.
Në një intervistë në emisionin “VV Show”, Hamza tha se arsyeja pse vendi po shkon drejt një krize institucionale lidhet me mungesën e veprimeve për formimin e institucioneve nga partia fituese e zgjedhjeve.
Sipas tij, një subjekt politik që ka marrë 51 për qind të votave mban përgjegjësinë kryesore për krijimin e qeverisë dhe funksionalizimin e institucioneve.
“Zgjedhjet janë të kushtueshme dhe të panevojshme. Mungesa e stabilitetit në Kosovë e dëmton ekonominë dhe të gjitha proceset e tjera në vend. Arsyeja pse vendi po shkon në zgjedhje është Albin Kurti. Një parti që i merr 51 për qind ka përgjegjësi të madhe. E ke të drejtën me formu qeverinë, por nuk e ka formuar”, deklaroi Hamza.
Ai tha se partitë e tjera e kanë njohur rezultatin zgjedhor dhe se pas zgjedhjeve nuk ka pasur kundërshtime në rrugë apo protesta.
“S’ka pasur protesta, s’ka pasur demonstrata. Partitë e tjera e kanë njohur rezultatin”, u shpreh ai.
Hamza theksoi gjithashtu nevojën për arritjen e një marrëveshjeje politike ndërmjet partive parlamentare, në mënyrë që të zgjidhet presidenti dhe të përmbyllet cikli zgjedhor.
“Për me zgjedh presidentin dhe me e përmbyll ciklin zgjedhor duhet me pas marrëveshje politike”, tha kandidati i PDK-së për kryeministër.
Ai shtoi se vendit i nevojiten institucione funksionale dhe stabilitet politik për të adresuar sfidat ekonomike dhe zhvillimore me të cilat përballet Kosova.









