Skema e dyshuar korruptive në KEK: Dy kompani fituan shumicën e ankandeve për shitjen e energjisë

Dy kompani tregtare energjetike fituan afër 90% të ankandeve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për shitjen e energjisë elektrike gjatë vitit 2025, ka zbuluar një hulumtim i portalit “Buletini Ekonomik” i publikuar të mërkurën.

Hulumtimi hedh dritë mbi dyshime të forta për kontrollimin, pothuajse të plotë, të ankandeve të KEK-ut nga kompanitë me bazë në Shqipëri: “Noa Energy Trade” në pronësi të biznesmenit Gentian Sula dhe “ETMT” në pronësi të biznesmenit kontravers nga Shqipëria, Marin Gjonaj.

Gjetjet bazohen në rreth 400 ankande të shitjes së tepricave energjetike nga KEK-u.

Bazuar në analizën e ankandeve të realizuara nga KEK gjatë vitit 2025, rezulton se gati 90 për qind e ankandeve u përqendruan vetëm tek dy kompani, njëra me rreth 60 për qind të ankandeve të fituara, kurse tjetra me gati 30 për qind të tyre.

Sikurse në vitin 2024, edhe në vitin 2025, në ankandet e KEK-ut për shitjen e tepricave të energjisë elektrike dominon kompania “Noa Energy Trade”, e cila gjatë vitit 2025 ka blerë energji elektrike në KEK në vlerë prej 10.7 milionë euro.

Tepricat e energjisë të shitura tek Noa Energy Trade, viti 2025. Burimi: KEK

Ndryshe nga kjo kompani që i dominon ankandet e KEK-ut nga viti 2022, një kompani tjetër nga Shqipëria me emrin “ETMT” është ‘përvjedhur’ fuqishëm në ankandet e KEK-ut gjatë vitit 2025.

Kjo kompani zotëroi gati 30 për qind të ankandeve për vitin 2025, apo bleu energji elektrike nga KEK prej 4.4 milionë euro, ka zbuluar hulumtimi i “Buletini Ekonomik”, transmeton Paparaci.

Tepricat e energjisë të shitura tek ETM Energy, viti 2025. Burimi: KEK

Nëse shikohen të dhënat e përgjithshme, procesi i ankandeve duket krejt në rregull, mirëpo analiza e qindra ankandeve dhe sjelljes së kompanive pjesëmarrëse në këto ankande, zbardh një realitet krejt tjetër. Përqendrimi kaq i lartë i ankandeve të KEK-ut në vetëm dy kompani dyshohet se fsheh prapa një skemë të mirëmenduar të tregtarëve të energjisë përmes ndërhyrjeve në KEK, për të kontrolluar procesin e ankandeve.

KEK-u, pjesën më të madhe të energjisë elektrike që e prodhon është e obliguar t’ia shesë KESCO-s, për ta mbuluar konsumin vendor, mirëpo kur ka teprica të energjisë elektrike, që shfaqen zakonisht natën kur bie konsumi, fillimisht duhet t’i drejtohet ALPEX-it, bursës shqiptare, e nëse dështon për ta shitur energjinë në ALPEX, atëherë zhvillon ankande me tregtarë të energjisë.

Procedura e ankandeve parashihet me rregulloren e KOSTT-it “Procedura për Tregtimin e Energjisë Elektrike”, e cila rregullon shitblerjen e energjisë elektrike nga kompanitë e licencuara në Kosovë për tregtim me energji elektrike.

Në nenin 10, pika 1, të kësaj rregullore thuhet decidivisht: “Blerësi/Shitësi duhet të jetë neutral ndaj të gjithë tregtarëve”.

Mirëpo, kjo rregullore duket se nuk është respektuar në rastin e ankandeve të KEK-ut, nëse analizohen sjelljet e pjesëmarrësve në këto ankande, sipas secilës ditë të vitit 2025.


Burimi: Buletiniekonomik.com