Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) i ka shqiptuar vetëm vërejtje ndërmarrjes “Ibër-Lepenc” për devijimet jashtëzakonisht të larta të shkaktuara në rrjetin elektro-energjetik, të cilat shkaktuan dëme milionëshe për KOSTT-in, operatorin e transmisionit dhe të tregut.
Në një mbledhje të mbajtur të hënën, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka konstatuar se “Ibër Lepenci”, i udhëhequr nga Faruk Mujka i Lëvizjes Vetëvendosje, ka krijuar “disa herë devijime më të mëdha sesa nominimet e realizuara”.
Bordi i ZRrE-së ka ardhur në përfundim për shqiptimin e vetëm një vërejtje ndaj ndërmarrjes, pavarësisht prej dëmeve milionëshe që përllogaritet të kenë shkaktuar në rrjet devijimet jashtëzakonisht të larta.
“E gjetur tjetër e evidentuar në raport është ku konstatohet se HC Ujmani ka vepruar në mospërputhje me nenin 11 të Rregullave të Tregut, ku thuhet se palët janë përgjegjëse që duhet të sigurojnë që prodhimi dhe konsumi momental të jetë sa më afër vlerave të nominuara. E gjetur tjetër, është edhe e gjetura në lidhje me përgjegjësitë balancuese, ku HC Ujmani ka vepruar në mospërputhje me nenin 10 të Licencës ku kërkohet që të veprojë në pajtim me rregullat e tregut për obligimet balancuese”, citohet të ketë thënë zyrtari përgjegjës nga ZRrE për këtë rast, sipas raportimit të Buletinit Ekonomik.
Drejtori i Zyrës Ligjore dhe Licencimit në ZRRE, Ymridin Misini, lidhur me këtë rast ka thënë se përgjegjësia për balancim dhe respektimi i nominimeve përbejnë obligim të vazhdueshëm të operatorëve dhe cdo devijim i vazhdueshëm ndërmjet nominimit dhe realizimit, cënon funksionimin e sigurt dhe të parshikueshëm të tregut të energjisë elektrike, shkruan Buletini Ekonomik.
Ai ka kërkuar nga bordi që të obligohet ndërmarrja Iber Lepenci që brenda një afati prej 30-ditësh të dorëzoj në ZRrE një plan mbi masat korrigjuese dhe procedurat e brendshme mbi menaxhimin e nominimeve dhe devijimeve.
Sa i përket masës vetëm vërejtje, në mbledhje është thënë se nuk është gjetur se ndërmarrja ka pasur qëllim manipulimi të tregut në këtë rast.
Paparaci raportoi muajin e kaluar për skandalin e devijimeve nga “Ibër-Lepenci”.
Një raport i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), të cilin e publikoi Paparaci, dëshmon se gjatë pushtetit të Mujkës, ndërmarrja “Ibër-Lepenc” shkaktoi devijime jashtëzakonisht të larta në muajt nëntor dhe dhjetorit të vitit 2023.
Devijimet u shkaktuan si pasojë e prodhimit të energjisë gjatë kësaj periudhë dy-mujore nga hidrocentrali i Liqenit të Ujmanit dhe mos deklarimit të prodhimit pranë KOSTT-it, organit përgjegjës për balancimin e energjisë në rrjet.

“Sipas raportit të jobalanceve të dërguar nga KOSTT, vlerat e jobalancit pozitiv të NH Ibër Lepenc SH.A. për muajin nëntor 2023 kanë qenë 6,935 MWh apo 314% ndaj nominimeve, kurse për muajin dhjetor 2023 kanë qenë 16,712.24 MWh apo 836% ndaj nominimeve”, tregon “Raporti i Monitorimit në Lidhje me Referim të Çështjes në ZRRE nga ana e KOSTT për Jobalancet e NH Ibër Lepenc”.
Raporti me shkeljet e rënda i ishte dërguar kryeshefit Faruk Mujka nga kryesuesi i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, më 13 maj 2024.
Shkeljet e kryera nga ndërmarrja kishin vënë në rrezik serioz rrjetin interkonektiv evropian (ENTSO), në të cilin Kosova është anëtarësuar në vitin 2020 kur është pavarësuar plotësisht nga Serbia në sektorin energjetik.
Sipas raportit, “mospërputhjet e vazhdueshme mes nominimeve dhe realizimit të palës përgjegjëse për balancë nuk janë të lejuara” dhe se operatorët janë të obliguar me Ligj që të mos kryejnë devijime në rrjet. /Paparaci.com









