Simiq: Rrënimi objekteve në Ujman është pjesë e presionit ndaj serbëve në Kosovë

Anëtari i Kryesisë së Listës Serbe, Igor Simiq, ka deklaruar se rrënimi e objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit “përbën vazhdim të presionit institucional ndaj serbëve në Kosovë”. Sipas tij, “objektet janë rrënuar pa vendim gjykate dhe pa miratimin e Komunës së Zubin Potokut, ndërsa pronarët kishin nisur procedura ligjore për sqarimin e statusit të pronës”, transmeton Paparaci.

Simiq i bëri thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, vendeve të Quint-it dhe organizatave ndërkombëtare që të reagojnë, duke kritikuar mungesën e një përgjigjeje të vendosur nga bashkësia ndërkombëtare.

Ai akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po zbaton politika “që synojnë largimin e serbëve nga Kosova” dhe tha se “incidentet ndaj komunitetit serb nuk janë të rastësishme, por pjesë e një plani të organizuar”. Simiq përmendi edhe raste të tjera që, sipas tij, dëshmojnë për “përkeqësimin e gjendjes së sigurisë dhe të drejtave të serbëve në Kosovë”.

Ndërkohë, kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Millosh Peroviq, deklaroi se komuna nuk kishte dhënë leje për prishjen e objekteve dhe se veprimet janë kryer pa vendim gjyqësor.

Lidhur me këtë rast, UNMIK njoftoi se po ndjek nga afër zhvillimet dhe është në kontakt me të gjitha palët përkatëse, përfshirë personat e prekur. Misioni u bëri thirrje të gjitha palëve të veprojnë në mënyrë konstruktive, në përputhje me parimet e proporcionalitetit, mosdiskriminimit dhe respektimit të kornizës ligjore në fuqi./Paparaci.com