Simeone nuk kërkon justifikime: Penallti ndaj Griezmann? Ndonjëherë arbitrat gabojnë…

Diego Simeone nuk arriti ta çojë Atletico Madridin në një tjetër finale të Champions League. “Cholo” analizoi humbjen në “Emirates”, që solli eliminimin: “Në momentet vendimtare të dy ndeshjeve gjysmëfinale nuk ishim konkretë. Në ndeshjen e parë, në pjesën e dytë, mund të fitonim, por nuk shënuam.

Edhe sot, pas pushimit, bëmë mirë, por nuk arritëm ta kthenim rezultatin në favorin tonë. Gjithsesi luftuam kundër një skuadre me fuqi ekonomike ndryshe nga ne. Ky është futbolli, dikush fiton, dikush humbet”.

Më pas u pyet për një penallti të mundshme: “Faulli i Calafiorit ndaj Griezmann? Tani nuk ka rëndësi të flasim. Ishte një penallti e qartë, që nuk na u dha. Në futboll ndodh; arbitrat ndonjëherë gabojnë kundër nesh, herë të tjera të favorizojnë. Këtë herë shkoi kundër nesh.

Ka mënyra të ndryshme për të humbur. Tani jemi plot zhgënjim, por nuk mund t’i them asgjë kësaj skuadre. Nuk mund të bënim më shumë. Arritëm në gjysmëfinale, ndoshta askush nuk e priste. U përballëm me një Arsenal shumë të fortë dhe humbëm. Urime atyre dhe Artetës, kanë kohë që punojnë për këto rezultate”.

The post Simeone nuk kërkon justifikime: Penallti ndaj Griezmann? Ndonjëherë arbitrat gabojnë… appeared first on Telesport.