Një hotel në zonën e Lungomares në Vlorë është përfshirë nga zjarri në orët e para të mëngjesit, duke shkaktuar panik dhe disa persona të lënduar.
Sipas autoriteteve shëndetësore, disa pushues kanë pësuar djegie të rënda, ndërsa dy persona janë hedhur nga kati i dytë për t’u shpëtuar flakëve dhe kanë pësuar lëndime nga rënia. Disa prej të lënduarve janë transferuar për trajtim në Tiranë.
Një prej pushuesve, Luan Salihu, ka treguar se ai dhe e fejuara e tij u detyruan të dilnin nga ballkoni për t’i shpëtuar tymit dhe flakëve.
Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me forca shtesë, pasi zjarri kishte përfshirë fillimisht katin e parë, ndërsa më pas ishte përhapur edhe në katin e dytë ku ndodhej hoteli.
Nga hetimet paraprake të Policisë dyshohet se zjarri ishte aksidental dhe se mund të jetë shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të një frigoriferi në restorant.








