Shtatë denoncime për dhunë në familje gjatë 24 orëve të fundit, dy persona përfundojnë në stacion policor

MPB Maqedoni njofton se dy persona janë privuar nga liria nga gjithsej shtatë denoncime të dhunës familjare gjatë 24 orëve të fundit.

“Më 10.06.2026, në orën 03:10, në SPB Shkup, një grua 36-vjeçare denoncoi se më 09.06.2026, rreth orës 23:00, në zonën e Kisella Vodës, ishte sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj T.C. (45), me të cilin ndodhej në procedurë shkurorëzimi”.

“Më 09.06.2026, në orën 15:00, në lagjen Karposh të Shkupit, nëpunës policorë nga SPB Shkup e privuan nga liria B.I. (36) nga Shkupi, pas denoncimit paraprak se kishte sulmuar fizikisht ish-partneren e tij 35-vjeçare”.

“Më 09.06.2026, në orën 22:00, në SPB Shtip, një grua 57-vjeçare nga Shtipi denoncoi se ish-partneri i saj A.M. (48), nga një fshat i rajonit të Demir Kapisë, e kishte telefonuar dhe i kishte bërë kërcënime asaj dhe familjes së saj. Për rastin janë njoftuar prokurori publik dhe përfaqësuesi i Qendrës për Punë Sociale në Shtip”.

“Më 09.06.2026, në orën 17:00, një grua 38-vjeçare nga Republika e Shqipërisë, me qëndrim të përkohshëm në Tetovë, denoncoi se bashkëshorti i saj J.M. (48), nga rrethina e Gostivarit, me të cilin ndodhej në procedurë shkurorëzimi, prej muajsh nuk respektonte vendimin e Qendrës së Punëve Sociale në Tetovë lidhur me takimet me fëmijët, vinte vazhdimisht para banesës së saj, i dërgonte kërcënime përmes mesazheve telefonike, e ofendonte dhe e përndiqte vazhdimisht”.

“Më 09.06.2026, në orën 21:15, nëpunës policorë nga SPB Veles e privuan nga liria B.S. (45) nga Velesi, pas denoncimit të vajzës së tij 18-vjeçare se ai e kishte sulmuar fizikisht në shtëpinë familjare. Gjithashtu, edhe Qendra për Punë Sociale në Veles denoncoi se gjatë ditëve të fundit B.S. kishte sulmuar fizikisht edhe vajzën e tij të mitur, duke përdorur një send prej druri. Sipas denoncimit, ai për një periudhë të gjatë kishte keqtrajtuar dhe sulmuar fizikisht vajzat e tij. Ai u ndalua në stacion policor dhe për rastin u njoftua prokurori publik”, thonë nga MPB.