Shqiptarët në Preshevë kanë frikë të trajtohen në spitalet e Serbisë

Komuna e Preshevës që nga e hëna ka shpallur situatë të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së shpejtë të koronavirusit në këtë qytet.

Frika për t’u trajtuar në ndonjërin prej spitaleve në Serbi qoftë në Vranjë, Surdulicë apo Nish si dhe mungesa e vetëdijesimit se ekziston koronavirusi, ka bërë që qytetarët e Komunës së Preshevës edhe ta fshehin që janë të prekur nga ky virus, shkruan lajmi.net.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Komunën e Preshevës, Driton Salihu, ka thënë për lajmi.net, se aktualisht janë gjashtë persona të prekur me koronavirus të cilët janë konfirmuar në bazë të testit PCR.

“Të konfirmuar me PCR test janë 6 dhe ata vetëm se janë të shtrirë në spital dhe tjerëve që ua kemi bërë testin kanë dalë negativ”, është shprehu Salihu.

Ai ka thënë se ditëve të fundit është shtuar dukshëm fluksi i pacientëve dhe e gjithë kjo ka ndodhur që pas hapjes së kufijve.

“Për dallim prej muajit mars dhe prill kur kemi pasur shumë një numër të vogël të pacientëve në fillim ka qenë si një misteri kjo sëmundje si gjithkund dhe nuk kemi pasur pacientë thuajse hiq as të dyshuar e as të infektuar. Mirëpo tash këtë muajin e fundit me lirimin e masave, hapjen e kufijve, sepse Presheva kufizohet me Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën dhe kontakte me Vranjë e Nish nuk kemi pasur. Do me thënë ne kemi qenë në njëfarë mënyre natyralisht të izoluar me mbylljen e kufijve dhe nuk ka pasur kontakte. Në Bujanoc ka më shumë serbë dhe ata kanë pasur më shumë kontakte dhe aty këtu ka pasur ndonjë rast mirëpo ne s’kemi pasur dhe COVID Ambulancën e kemi hapur qysh në muajin mars. Mirëpo nuk janë paraqitur pacientë dhe nuk kemi pasur raste. Kanë ardhur me temperaturë dhe janë paraqitur në emergjencë mirëpo nuk ka pasur me ndonjë simptomë të dyshuar mirëpo kohën e fundit është rritur goxha shumë numri”, tregoi ai.

Tutje ai ka treguar se në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë bëhen teste serologjike (të shpejta) mirëpo këto teste nuk janë determinuese.

“Pacientët që po paraqiten ne po ua bëjmë testet e shpejta që të gjithëve mirëpo këto (teste) nuk po janë determinues se a është pozitiv apo jo, faktikisht tregojnë vetëm nëse e ke pasur para një kohe apo jo. Mirëpo pacientët po vijnë me temperaturë të lartë dhe vetë simptomat e tyre po tregojnë që mund të jenë të infektuar. Ne testet e shpejta ia bëjmë secilit pacientë dhe e kemi të obliguar një gjë të tillë edhe ia bëjmë rëntgenin e mushkërive, matjen e temperaturës edhe analizat e gjakut do të thotë pasqyrën e gjakut ia bëjmë secilit pacientë. 18 pacientë kanë qenë me simptoma febrile, ku 8 prej tyre me test të shpejtë kanë dalë pozitivë, 7 kanë dalë negativë dhe dy me gjendje pak më të rëndë të pneumonisë i kemi dërguar në spitalin e Vranjës dhe një në Nish”, ka thënë Salihu për lajmi.net.

Ai ka bërë të ditur se për ta ndalur fluksin e pacientëve edhe Banja e Bujanocit është shndërruar në një spital të improvizuar mirëpo siç theksoi Salihu, mungon shumë vetëdijesimi i qytetarëve që ekziston koronavirusi, por në të njëjtën kohë siç theksoi Salihu mbizotëron edhe frika për të shkuar për të marrë trajtim në ndonjë spital të Serbisë.

Salihu thotë se në jug të Serbisë situata me koronavirus është më e rënduar dhe në këtë mënyrë edhe spitalet janë të stërmbushur.

“Ne kemi mbajtur një takim me drejtoreshën e ambulancës së Bujanocit edhe në konsultim që përkohësisht ta bëjmë një lloj spitali për pacientët me simptoma të lehta. Pak vetëdijesimi i qytetarëve po është problem sepse po janë një numër i madh i pacientëve që ende s’po besojnë që po ndodh kjo edhe po kemi problem. I vetmi qytet që e ka problemin që pacientët nuk po paraqitën, ne e kemi problemin që pacientët po shkojnë privat. Ato (ordinancat private) po i sorollatin pacientët po i mbajnë nga 5-6 ditë dhe kur po vijnë në një situatë pak më të rënduar po paraqiten tek ne, do me thënë vetëm në atë fazën e pneumonisë bilaterale, do me thënë i kanë marrë mushkëritë ndezje. Edhe ne ata pacientë po i dërgojmë në Spitalin e Vranjës apo ku po ka vende të lira sepse në jug të Serbisë spitalet janë stërmbushur edhe pacientët po i dërgojmë në Surdolicë ose në Nish. Mirëpo te pacientët tanë përveç frikës nga sëmundja është frika edhe të shkojnë e të marrin trajtim në spital në Vranjë. Shumica e pacientëve në konsulta me mjekun e koronavirusit e vendos në bazë të gjendjes simptomatike se ku me shkua pacienti sepse jo të gjithë janë për trajtim për spital mirëpo ka pacientë që janë me simptoma pak më të lehta dhe me terapi ose ampulare ose orale në përcjellje e kalojnë këtu mirëpo, ata që janë në gjendje pak më të rëndë po hezitojnë që të shkojnë nëpër spitale. Vetëm kur po vjen situata që nuk ka se ku të shkoj më. Mirëpo ekziston ajo frika që edhe me fsheh sëmundjen edhe me u frikësua me shkua në spital”, tregoi Salihu për lajmi.net.

Përveç mungesës së vetëdijesimit, Salihu thotë se edhe rezultatet e testit PCR vonohen deri në 10 ditë dhe kjo bën që qytetarët që e bëjnë këtë test të mos vetizolohen por dalin lirshëm dhe e fshehin nga të tjerët.

“Në fillim Instituti për Shëndet Publik e ka pasur obligim që të bëj testime edhe për pacientët tanë. Se ne teste nuk bëjmë. Testet e shpejta i kemi marrë mirëpo siç e thash edhe më herët këto teste nuk janë determinues. Unë kam kërkuar më pas që të na japin teste dhe ne ti kryejmë vetëm mostrat mirëpo po vonohen shumë këto teste. Pacientët po detyrohen të presin deri në 10 ditë për rezultat çka do të thotë se atij pacientit që ia bëjmë PCR-në do me thënë s’ka simptoma ai po del dhe pi kafe e takohet me njerëz të tjerë dhe nuk u tregon që është i sëmurë dhe ky është problemi se ne ato teste që i dërgojmë pra PCR vonohen. Tash kemi teste, kemi teste PCR ku ne i marrim mostrat këtu. Është pak një punë më e vështirësuar sepse as Spitali i Vranjës nuk i bën këto teste por i dërgojnë në Nish ose Beograd dhe kjo është një procedurë e gjatë, do me thënë ne e marrim mostrën këtu e duhet më e dërgua në Vranjë e me pas Vranja i mban një ose dy ditë deri sa t’i mbledh e me pas nga aty dërgohen në Nish ose në Beograd. Deri sa të dalin rezultatet është shumë procedurë dhe është më e vështirë për ne, mirëpo me testet e shpejta ne këtu (Preshevë) i bëjmë për 30 minuta. Unë kam kërkuar edhe nga Shtabi që të shpallet situatë e jashtëzakonshme dhe është shpallur situatë e jashtëzakonshme jo gjendje e jashtëzakonshme sepse ka dallim situata e jashtëzakonshme prej gjendjes së jashtëzakonshme. Qysh prej të hënës janë mbyllur lokalet do të thotë gastronomia edhe në Preshevë prej orës 20:00 deri në ora 05:00 e mëngjesit”, tregoi ai.

Tutje Salihu iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Preshevës që të mos hezitojnë dhe të drejtohen në Shtëpinë e Shëndetit në këtë komunë.

“Unë i kam ftuar të gjithë qytetarët që të vijnë dhe të lajmërohen në Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Ata po shkojnë privat dhe atë s’mund t’ua ndalojmë këtë që të mos shkojnë privat sepse e kuptojmë edhe frikën e tyre, mirëpo duhet të lajmërohen. Ata që e shohin se kanë simptome duhet të vijnë në Shtëpinë e Shëndetit patjetër, të lajmërohen në COVID Ambulancën në çdo kohë sepse edhe në orët e vona ndihma e shpejtë funksionon si COVID Ambulancë. Mirëpo nuk është që qytetarët po drejtohen tek ne dhe ata që po vijnë po vërehet që është shtuar numri. Vetëm dje ka qenë numër rekord, 18 pacientë i kemi pasur dhe me thënë brenda 12 orëve. Të konfirmuar me PCR test janë 6 dhe ata vetëm se janë të shtrirë në spital dhe tjerëve që ua kemi bërë testin kanë dalë negativë. Teste ne jemi duke bërë rregullisht mirëpo rezultatet po vonohen mirëpo me testet e shpejta nuk kemi problem dhe kemi mjaftueshëm dhe testin e shpejt ua bëjmë secilit pacientë që vjen plus edhe rëntgenin e mushkërive dhe analizat e gjakut sepse këto i kemi të obligueshme që t’i bëjmë. Tash varet edhe prej simptomave sepse nëse ka simptoma të lehta pacientin e dërgojmë në vetizolim por edhe vetizolimit ka pacientë që nuk iu përmbahen. Do të thotë mungon vetëdijesimi i qytetarëve. Ndodh që edhe me testin e shpejt dalin negativ mirëpo kanë simptoma dhe secili pacientë që paraqitet ka simptoma, së paku secili prej tyre ka temperaturë”, ka thënë Salihu.

Theksojmë se sipas shifrave zyrtare, Serbia ka konfirmuar mbi 20 mijë raste pozitive me koronavirus, ku prej tyre, 472 pacientë kanë vdekur.

Këtë muaj, autoritetet kanë rikthyer disa masa kufizuese, për të frenuar përhapjen e koronavirusit, të cilat janë lehtësuar në maj dhe qershor. Serbia i ka mbajtur zgjedhjet parlamentare më 21 qershor.