Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjykatë dosjen për vjedhjen e rreth 43 mijë eurove, 4 mijë paundëve dhe 1 milion lekëve në një agjenci udhëtimi dhe këmbimi valutor në Ballsh, më 26 mars të këtij viti. Në dosjen e siguruar nga Top Channel, përshkruhet mënyra se si tre të dyshuarit dyshohet se e organizuan dhe realizuan vjedhjen.
Sipas hetimeve, plani ishte përgatitur disa orë para ngjarjes. Të dyshuarit fillimisht kishin siguruar një Audi A4 të zi me portobagazh, ndërsa më pas kishin marrë me qira një Honda Jazz në Fier, që dyshohet se është përdorur për të krijuar alibi dhe për të fshehur lëvizjet e tyre.
Një nga detajet që ndihmoi hetuesit të identifikonin automjetin ishte shiriti adeziv i kuq me mbishkrimin “Çifti me jetë të lumtur”, i cili ishte vendosur mbi targat e Audit. Kamerat e sigurisë zbuluan se njëri prej të dyshuarve e kishte blerë këtë shirit në një dyqan lulesh në Fier, disa orë para vjedhjes, shkruan Top Channel.
