ShBA-të dhe aleatët sulmojnë Sirinë (VIDEO)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën.
Operacioni është në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.
Në fjalimin drejtuar kombit, të premten vonë, Trump tha se “masakra e fundit është një përshkallëzim i madh i përdorimit të armëve kimike nga një regjim shumë i tmerrshëm”.
“Sulmet janë urdhëruar mbi caqet e lidhura me kapacitetet e armëve kimike të Qeverisë siriane”, tha Trump.
Sipas presidentit amerikan, qëllim i sulmeve është “të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”.
“Këto nuk janë veprime të një njeriu; ato janë krime të një përbindëshi”, tha Trump për presidentin sirian, Bashar al-Assad.
Qeveria siriane ka mohuar se ka kryer sulmin kimik, i cili besohet se ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës”.
Ajo po ashtu tha se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.
Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.
Rusia, aleate e Sirisë, paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve.
Ajo lëshoi një deklaratë nëpërmjet ambasadorit të saj në SHBA, Anatoly Antonov, duke thënë se “veprimet e tilla nuk do të mbeten pa pasoja”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, u tha gazetarëve se nuk ka raporte për humbje në operacion.
“Tash për tash, kjo është një goditje një herë. Dhe, unë besoj se ka dërguar mesazh shumë të fuqishëm”, tha Mattis, duke shtuar se vala e parë e sulmeve ka mbaruar.
Trump tha se SHBA është e përgatitur ta vazhdojë këtë përgjigje derisa “regjimi sirian të ndalojë përdorimin e agjentëve të ndaluar kimikë”. Trump i bëri thirrje edhe Rusisë, edhe Iranit që të ndalojnë mbështetjen për regjimin “vrasës” të Assadit.
“Cili lloj vendi dëshiron të lidhet me vrasjet masive të burrave të pafajshëm, grave dhe fëmijëve”, pyeti Trump.
Duke iu drejtuar Moskës në veçanti, Trump tha se përdorimi i vazhdueshëm i armëve kimike nga ana e Assadit është “rezultat i drejtpërdrejtë” i dështimit të Rusisë për ta mbajtur aleatin e saj brenda një marrëveshjeje të vitit 2013, për braktisjen dhe shkatërrimin e armëve kimike.​
Rusia nuk arriti ta mbajë premtimin e saj për të frenuar Assadin, shtoi Trump.
Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut, grup që monitoron luftën në Siri, tha se bombat kanë goditur një qendër kërkimore shkencore dhe baza ushtarake në Damask, që strehojnë Gardën Republikane të Ushtrisë Siriane dhe njësi të tjera elitare.
Televizioni sirian tha se ushtria e Sirisë është duke iu kundërvënë sulmeve me armë anti-ajrore dhe se ka qëlluar 13 raketa.
Ky operacion është sulmi më i rëndësishëm kundër qeverisë së presidentit Bashar al-Assad nga fuqitë perëndimore në shtatë vjet të luftës civile të Sirisë./21Media

https://www.youtube.com/watch?v=HI1X3fb_7ZQ