Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore kundër Iranit të shtunën në mbrëmje, duke shënjestruar objekte të mbikëqyrjes bregdetare dhe sisteme të mbrojtjes ajrore, njoftuan zyrtarë ushtarakë amerikanë.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) deklaroi se forcat amerikane kanë goditur me sukses kapacitete ushtarake iraniane. Ndërkohë, mediat shtetërore iraniane raportuan se ishulli Qeshm, në ngushticën e Hormuzit, ishte goditur nga sulmet amerikane, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
Sipas CENTCOM-it, objektiv ishin edhe elementë të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), të cilët SHBA-ja i akuzon për sulmin ku u vranë dy ushtarë amerikanë në Jordani të premten, ndërsa një tjetër pjesëtar i forcave amerikane rezulton ende i zhdukur.
Në kundërpërgjigje ndaj sulmeve amerikane, ushtria iraniane deklaroi se kishte kryer sulme me dronë ndaj dy bazave ushtarake amerikane në Kuvajt, raportuan mediat shtetërore iraniane.
Tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit janë përshkallëzuar ndjeshëm ditët e fundit, me të dyja palët që akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ndaj objekteve të rëndësishme strategjike.







