Shtetet e Bashkuara të Amerikës dëshirojnë ta ndryshojnë hartën energjetike në Ballkanin Perëndimor përmes një rrjeti marrëveshjesh dypalëshe për importin e gazit natyror të lëngshëm (LNG), me qëllim uljen e varësisë së rajonit nga Rusia dhe forcimin e korridorit energjetik nga Evropa Jugore drejt Evropës Qendrore.
Një sërë projektesh janë planifikuar nga Kroacia përmes Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Malit të Zi deri në Kosovë dhe Serbi. Ato përfshijnë gazsjellës të rinj, terminale LNG dhe centrale me gaz, ndërsa mbështeten politikisht dhe financiarisht nga administratat në Uashington dhe Bruksel, transmeton Paparaci.
Disa projekte tashmë janë në fazën e ndërtimit ose të kontraktimit, të tjera janë në fazën e planifikimit, ndërsa i gjithë konfigurimi energjetik rajonal po orientohet gradualisht drejt gazit natyror nga SHBA-ja, Azerbajxhani dhe Mesdheu.
Jonathan Stern, profesor në Institutin e Oksfordit për Studime Energjetike, ka thënë për REL në gjuhën serbe se Evropa Juglindore tashmë ka zhvilluar rrugë alternative.
“Ekzistojnë terminale LNG në Greqi dhe Kroaci, si dhe Korridori Jugor i Gazit nga Azerbajxhani, bashkë me fushën rumune të gazit Neptun Deep në Detin e Zi, shfrytëzimi i së cilës pritet të fillojë vitin e ardhshëm, ndërsa rezervat vlerësohen në njëqind miliardë metra kubë”, ka thënë Stern.
Kosova nuk ka infrastrukturë të gazit dhe mbështetet plotësisht në termocentralet me thëngjill.
Projekti i interkoneksionit të gazit me Maqedoninë e Veriut ishte përfshirë në planin investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, por u ndal për shkak të, siç deklaruan nga qeveria, kostove të larta dhe fokusit strategjik në burimet e ripërtëritshme.
Gazsjellësi do t’i mundësonte Kosovës qasje në gazin nga terminalet LNG greke në Detin Egje, ndërsa ideja ishte edhe ndërtimi i një gazsjellësi drejt Shqipërisë.
“Nëse dhe kur rrethanat e tregut ndryshojnë dhe mjedisi i biznesit bëhet më tërheqës, Ministria amerikane e Energjisë do të jetë e gatshme të ndihmojë në lidhjen e kompanive amerikane me partnerët në Kosovë”, ka thënë për REL-in Joshua Volz, i dërguari special i Ministrisë amerikane të Energjisë.
Kosova refuzoi të investojë rreth 200 milionë dollarë amerikanë në infrastrukturën e gazit përmes programit Millennium Challenge Corporation (MCC) dhe i ridrejtoi fondet drejt sistemeve të baterive për akumulimin e energjisë./Paparaci.com









