Gjykata Kombëtare e Audiencës në Madrid ka urdhëruar autoritetin kryesor tatimor të Spanjës t’i kthejë 55 milionë euro (64 milionë dollarë) yllit të popit Shakira, duke thënë se shuma është fituar në mënyrë të paligjshme gjatë një mosmarrëveshjeje mbi taksat e saj të vitit 2011.
Dokumentet e gjykatës zbulojnë se vendimi u mor në mesin e prillit, por u bë i ditur për median ditën e sotme, transmeton Indeksonline.
Vendimi erdhi pas një apeli nga këngëtarja kolumbiane, e cila prej kohësh ka argumentuar se nuk ishte banore e perhershme e Spanjës në atë kohë.
Avokatët e saj kanë vënë në dukje faktin se ajo dhe ish-bashkëshorti i saj, futbollisti Gerard Pique, blenë për herë të parë një shtëpi në Spanjë në vitin 2012, si edhe faktin se turnetë e saj të shpeshta e bënë të pamundur që ajo të kishte qëndruar në Spanjë 183 ditët e kërkuara atë vit.
Gjykata u pajtua dhe urdhëroi që Shakira të rimbursohej me dhjetëra milionë euro që u mblodhën në vitin 2021.
Në nëntor 2023, këngëtarja kishte arritur një marrëveshje me prokurorët për të shmangur gjyqin në Barcelonë me akuzat se nuk kishte paguar 14.5 milionë euro taksa mbi të ardhurat në Spanjë midis viteve 2012 dhe 2014.
Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, ajo i pranoi akuzat dhe ra dakord të paguante një gjobë ekuivalente me gjysmën e asaj shume, më shumë se 7.3 milionë euro.









