SBASHK-u tregon fuqinë edhe në nivel komunash, mësimi nuk nis as në Istog

Përmes një komunikate për media gjatë ditës së sotme nga komuna e Istogut, u bë e ditur se i pari i këtij qyteti, Haki Rugova ka mbajtur një takim me drejtorin e arsimit si dhe drejtorët e shkollave të mesme dhe fillore ku është arritur një pajtueshmëri që nesër të fillojë mësimi, përkundër grevës së SBASHK-ut.
Mirëpo, këta të fundit nuk e kanë pranuar një kërkesë të tillë.
Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe vetë drejtori i arsimit në këtë komunë, Hajrush Shoshi.
Ai ka thënë se ka pasur një pajtueshmëri dhe kërkesë nga kryetari Rugova, mirëpo se të njëjtën e ka refuzuar sindikata e arsimit.
“Ka pasur një kërkesë të arsyeshme të kryetarit Rugova, mirëpo ajo është refuzuar nga SBASHK-u. Disa nga prindërit e nxënësve janë të vendosur që nesër t’i sjellin fëmijët e tyre në shkollë, mirëpo mësimi nuk do të mbahet”, ka thënë Shoshi për lajmi.net.
Kujtojmë, se gjatë ditës së sotme nëpër mediat vendore u raportua se Istogu do të jetë komuna e dytë pas Deçanit që nuk do t’i bindet SBASHK-ut dhe që do të rifillojë mësimin.
Kërkesat e SBASHK-ut lidhen me rritjen e pagave për 30 për qind të mësimdhënësve si dhe rritjen e koeficienteve në ligjin e ri për pagat.