“Sarajevo Safari” – Der Spiegel rikthen artikullin për Vuçiqin, pavarësisht urdhrit të gjykatës

Revista gjermane “Der Spiegel” ka rikthyer online një artikull për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, edhe pse më herët ishte urdhëruar nga një gjykatë në Hamburg ta largonte atë.

Kjo u bë e ditur në X nga gazetari gjerman, Michael Martens.

Artikulli në fjalë “Evropianët e pasur që udhëtonin për gjueti njerëzish në Sarajevë”, trajton pretendime për të ashtuquajturën “gjueti njerëzish” gjatë luftës në Bosnjë (1992–1995), ku përmendej edhe emri i Vuçiqit.

Gjykata e Hamburgut më herët kishte vendosur një urdhër të përkohshëm, duke e konsideruar të papranueshme mënyrën e raportimit dhe duke theksuar se disa pretendime nuk ishin të verifikuara mjaftueshëm dhe shkelin parimin e prezumimit të pafajësisë.

Gjithashtu, ajo pranoi se ekziston një “interes i lartë publik” për shkak të pozicionit të Vuçiqit si kryetar shteti, por e cilësoi mënyrën e raportimit si “të papranueshme” dhe “të njëanshme”.

Gjykata ia ndaloi shprehimisht revistës të përhapte fjalë se Vuçiq, në moshë të re, kishte shërbyer si vullnetar lufte në një njësi paramilitare serbe në varrezat hebraike të Sarajevës dhe se aty “kishte rënë në kontakt me gjahtarët e huaj të njerëzve”.

Vendimi përfshinte edhe gjoba financiare në rast shkeljeje.