Komuniteti i Bizneseve Kosovaro-Gjermano-Zvicerane (KGS) dhe CEO Shpk kanë nënshkruar sot një Memorandum Bashkëpunimi, duke shënuar fillimin e një partneriteti strategjik të orientuar drejt fuqizimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet Kosovës, diasporës shqiptare dhe komunitetit ndërkombëtar të biznesit.
Ky partneritet synon të krijojë mundësi të reja për investime, bashkëpunim ekonomik, shkëmbim përvojash dhe zhvillim të rrjeteve profesionale, duke shfrytëzuar potencialin e madh të bizneseve shqiptare në Kosovë, Gjermani, Zvicër dhe më gjerë.
Në kuadër të marrëveshjes, palët do të bashkëpunojnë në organizimin dhe promovimin e forumeve ekonomike, panaireve, konferencave, takimeve B2B dhe aktiviteteve të tjera që synojnë krijimin e urave të reja të bashkëpunimit ndërmjet sektorit privat, investitorëve dhe institucioneve relevante. Gjithashtu, bizneset anëtare të KGS-së do të kenë qasje në mundësi të zgjeruara promovimi, rrjetëzimi dhe pjesëmarrjeje në ngjarje me rëndësi ekonomike në Kosovë dhe rajon.
Presidenti i KGS-së, Shkelzen Jusaj, theksoi se ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm në misionin e organizatës për të afruar diasporën me mundësitë ekonomike në Kosovë dhe për të krijuar partneritete të qëndrueshme që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ndërkaq, Drejtori i CEO Shpk, Bekim Xhafa, vlerësoi se bashkëpunimi me KGS do të ndihmojë në zgjerimin e rrjetit të partnerëve strategjikë dhe në krijimin e platformave konkrete që lidhin bizneset, investitorët dhe profesionistët shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
KGS përfaqëson një rrjet të rëndësishëm biznesesh shqiptare në Kosovë, Gjermani dhe Zvicër, ndërsa CEO Shpk është ndër organizatorët kryesorë të forumeve, panaireve dhe ngjarjeve ekonomike në Kosovë dhe rajon. Përmes këtij memorandumi, të dy organizatat riafirmojnë angazhimin e tyre për të kontribuar në rritjen e investimeve, promovimin e sipërmarrjes dhe krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik afatgjatë.










