Sakrifica e një babai: Dhuroi një pjesë të mëlçisë për vajzën e tij të vogël

Një baba bëri një sakrificë të jashtëzakonshme për të shpëtuar jetën e vajzës së tij të vogël, duke i dhuruar një pjesë të mëlçisë, edhe pse në fillim nuk e dinte nëse ishte dhurues i përshtatshëm.

Rory Griffiths, 34 vjeç, nuk hezitoi kur mësoi se vajza e tij 22-muajshe, Harriet, kishte nevojë urgjente për transplant.

Ai iu nënshtrua operacionit në spitalin Queen Elizabeth Hospital në Birmingham, ku iu hoq një pjesë e mëlçisë me peshë rreth 311 gramë, afërsisht sa madhësia e një kanaçeje pijesh. Vetëm pasi kirurgët nisën operacionin mund të konfirmonin se ai ishte dhuruesi i duhur.

Në të njëjtën kohë, Harriet po operohej në spitalin Birmingham Children’s Hospital. Pjesa e mëlçisë së babait u transportua menjëherë dhe mjekët kryen transplantin, i cili zgjati rreth gjashtë orë, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.

Të dy operacionet rezultuan të suksesshme dhe pas katër ditësh babë e bijë u ribashkuan.

“Kur kuptova se mund të dhuroja një pjesë të mëlçisë sime, nuk u mendova dy herë. Për mua ishte diçka që çdo baba do ta bënte për fëmijën e tij”, tha Rory.

Ai tregoi se pas gjashtë ditësh doli nga spitali dhe se pas rreth 12 javësh mëlçia e tij ishte rigjeneruar plotësisht.

“Sot, kur e shoh duke vrapuar dhe luajtur, ndihem jashtëzakonisht i lumtur. Ndihem me fat që ajo pati këtë mundësi menjëherë”, u shpreh ai.

Rory, fermer nga Whitchurch në Shropshire, tha se do ta bënte sërish të njëjtën gjë për të shpëtuar një jetë tjetër./Klankosova.tv

Harriet on the ward