Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar për 13 raste të reja të fruthit gjatë javës së fundit, duke e çuar në 112 numrin e përgjithshëm të rasteve të regjistruara në vend.
Sipas IKShPK-së, situata është veçanërisht shqetësuese për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve gjatë vetëm një muaji.
“Më 10 korrik ishin raportuar 62 raste, ndërsa deri më 10 gusht janë regjistruar edhe 50 raste të reja, duke arritur gjithsej në 112 raste”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Prishtina prin me numrin më të madh të rasteve, gjithsej 37. Pas kryeqytetit, numri më i lartë është raportuar në Fushë-Kosovë me 29 raste.
“Sipas shpërndarjes nëpër komuna, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 37 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 29 raste, Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 7 raste dhe Obiliq me 6 raste. Nga tri (3) raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy (2) raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpce dhe Vushtrri. Nga një (1) rast është raportuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti”.
“Gjatë javës së fundit, ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve të fruthit (Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj), kanë intensifikuar aktivitetet, me ç‘rast kanë vaksinuar me MMR gjithsej 147 fëmijë të vonuar për vaksinim sipas kalendarit të rregullt të vaksinimit”, thuhet në njoftim.
IKShPK rekomandon që çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjunktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK bën thirrje për angazhim të përbashkët të institucioneve përgjegjëse, profesionistëve shëndetësorë, prindërve dhe gjithë komunitetit për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së fruthit”.
“Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, njofton IKShPK-ja./









