Piloti i helikopterit, që është rrëzuar teksa në të ka qenë legjenda e basketbollit, Kobe Bryant dhe tetë persona tjerë, mund të jetë çorientuar pas ngjitjes në re dhe nuk ka ndjekur procedurat standarde, kanë thënë hetuesit.
Bordi Kombëtar për Siguri të Transportit në Shtetet e Bashkuara, ka thënë më 9 shkurt se hetimet e tij kanë gjetur që piloti Ara Zobayan mund të jetë përballur me “çorientim hapësinor dhe humbje të kontrollit”, kur ka fluturuar në kushte të tilla atmosferike.
Gjatë fluturimit, Zobayan u ka thënë kontrolluesve të trafikut ajror se helikopteri i tij është duke u ngjitur jashtë reve, kur në fakt ka qenë duke zbritur.
“Po flasim për çorientim hapësinor, kur piloti mund të mos e di nëse po shkon lart apo poshtë, apo nëse po kthehet majtas apo djathtas”, ka thënë udhëheqësi i Bordit Kombëtar për Siguri të Transportit, Robert Sumwalt.
Sipas këtij bordi, piloti ka shkelur ligjin kur ka fluturuar në re.
Helikopteri, S-76B është rrëzuar afër një kodre jashtë Llos Angjellesit në janar të vitit 2020, duke e lënë të vdekur, Bryant, vajzën e tij 13-vjeçare Gianna dhe shtatë persona tjerë.
Vdekja e Bryant, 41-vjeçar, yll i Asociacionit Kombëtar të Basketbollit (NBA), kishte shokuar shumë persona dhe ishte pritur me hidhërim nga tifozët në gjithë botën./REL/