Në Kampin e Njësive Speciale në Vrellë është mbajtur prezantimi përmbyllës i trajnimit profesional “Ballafaqimi me turma”, i organizuar për zyrtarët policorë të Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri (NJRSH) nga disa rajone të Kosovës.
Sipas njoftimit të policisë së Kosovës, trajnimi është zhvilluar për 65 zyrtarë policorë nga rajonet e Prishtinës, Ferizajt, Pejës, Gjakovës, Gjilanit, Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut.
Programi është udhëhequr nga instruktorët e Drejtorisë së Njësive Speciale Operative (DNJSO) dhe është realizuar në Kampin “Vrella” si dhe në Qendrën e Njësive Speciale “Enver Zymeri”, me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative për menaxhimin e situatave me turma dhe ruajtjen e rendit publik.
Në kuadër të aktivitetit është realizuar edhe një skenar praktik për menaxhimin e turmave, ku pjesëmarrësit demonstruan aftësitë operative dhe reagimin në situata të ndryshme të sigurisë.
Prezantimi është përcjellë nga afër edhe nga drejtues të lartë të Policisë së Kosovës, përfshirë drejtorin Gazmend Hoxha, si dhe eprorë të tjerë të lartë policorë.









