Policia e Shtetit njofton se ka gjobitur dy të rinj pasi dyshohet se rrezikuan pushuesit duke lëvizur me mjete lundruese afër bregut.
Të dy në total u gjobitën me mbi 1 milion lekë apo mbi 10,600 euro.
Sipas njoftimit, Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare dhe DVP Fier, kanë evidentuar drejtuesin e një mjeti lundrues tip ‘Jet Ski’, i cili kishte lundruar në afërsi të bregut në plazhin e Semanit, duke rrezikuar sigurinë e pushuesve.
“Drejtuesi i mjetit lundrues, shtetasi E. D., u ndëshkua me masë administrative në vlerën 500.000 lekë të rinj, si dhe me bllokimin administrativ të mjetit lundrues”- thuhet në njoftimin e datës 11.07.2026.
“Mjeti drejtohej nga shtetasi J. H. Nga verifikimet rezultoi se ai nuk dispononte dokumentacionin përkatës të mjetit lundrues. Për shkeljet e konstatuara, ndaj tij u vendos masë administrative në vlerën 510.000 lekë të rinj, si dhe u bllokua administrativisht mjeti lundrues”- thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj të gjithë përdoruesve të mjeteve lundruese dhe bizneseve që operojnë me to, të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrat e sigurisë, duke theksuar se reagimi do të jetë i menjëhershëm ndaj çdo shkelësi, me qëllim garantimin e jetës dhe sigurisë së pushuesve.







