Policia Kufitare ka bllokuar një mjet lundrues në Sarandë dhe e ka dënuar ngasësin, pasi ka shkelur perimetrin e sigurisë dhe i cili nuk dispononte dokumentacionin e detyrueshëm në bord.
Gjatë patrullimit, sipas njoftimit shërbimet e Policisë Kufitare kanë konstatuar një mjet lundrues që ishte futur brenda perimetrit të sigurisë, në zonën ku pushuesit po laheshin, duke rrezikuar jetën dhe sigurinë e tyre.
“Nga verifikimet e kryera rezultoi se mjeti nuk ishte regjistruar brenda afateve të parashikuara nga ligji, si dhe se në bord mungonte dokumentacioni i detyrueshëm. Në përfundim të veprimeve administrative, mjeti lundrues u shoqërua dhe u bllokua në portin e Sarandës, ndërsa ndaj poseduesit u vendosën masa administrative në vlerën totale 530.000 lekë të rinj, në përputhje me shkeljet e konstatuara.”, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit ka apeluar ndaj përdoruesve të mjeteve lundruese dhe subjekteve që operojnë me to, të respektojnë perimetrat e sigurisë dhe rregullat e lundrimit, duke mos hyrë në zonat e përcaktuara për pushuesit.








