Analisti Shenoll Muharremi e ka vlerësuar si alarmante paraqitjen e dy partive më të mëdha opozitare, PDK e LDK, në diasporë.
Muharremi ka bërë matjen e rezultateve sipas të dhënave nga KQZ, duke e paraqitur fitoren e Vetëvendosjes me rreth 80 për qind në diasporë.
Sipas tij, rezultati i PDK-së dhe LDK-së në diasporë është i turpshëm.
“Paska ecë LVV prej 42.9% me vota të banorëve të Kosovës në 47% me vota të diasporës. Kjo është një rritje e ndjeshme dhe ka pasur ndikim edhe në rritjen e ulëseve. Aktualisht në KQZ me 96,67% e votave të numëruara LVV po figuron me 53 ulëse. Nga rreth 48 në fillim, shkoi në 53, një sukses i madh elektoral dhe e nënvlerëson “rënien” e LVV-së, edhe pse ajo është larg qëllimeve të veta me 60% apo 70% dhe megjithatë ka rënie. Njeriu supozon që partitë tjera kanë punu më shumë në diasporë”.
“LVV i paska 76,506 vota nga diaspora (18,789 apo 83.28% në përfaqësitë diplomatike + 57,717 dhe 73% me postë). Dy partitë tjera kryesore opozitare? LDK 1,490 te ambasadat dhe 9,502 me postë, gjithsej 10,992 vota. Ndërsa PDK 1,608 te ambasadat dhe 6,529 me postë, gjithsej 8,137 vota. LVV: 76,506 LDK: 10,992 PDK: 8,137. Kjo i bie (edhe pse nuk janë krejt finale, por rezultati nuk do të ndryshojë shumë sepse janë mbi 90% të numëruara) se LVV i ka fitu 79.99%, ndërsa LDK 11.49% e PDK vetëm 8.51%”, thuhet në postimin e Muharremit.
Ai ka thënë se këto të dhëna duhet t’iu shërbejnë partive opozitare për të bërë ndryshime në të ardhmen për shkak se deri më tani sipas tij, LVV ka një dominim absolut.








