Humbja e thellë e republikanëve në zgjedhjet e mesmandatit në Shtetet e Bashkuara ka hapur një debat të ri brenda Partisë Republikane: kush duhet të jetë pasuesi politik i Donald Trumpit në garën presidenciale të vitit 2028?
Një numër gjithnjë e më i madh republikanësh në Kongres po shohin drejt sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, si një alternativë për Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në pikëpyetje pozitat e zëvendëspresidentit JD Vance, i cili deri më tani konsiderohej një nga pretendentët kryesorë për të marrë stafetën e Trumpit.
Sipas një sondazhi të zhvilluar nga Politico përmes intervistave me rreth 20 ligjvënës republikanë, humbjet e fundit elektorale kanë shtuar bindjen se gara për kandidatin presidencial të vitit 2028 është tashmë e hapur.
Disa republikanë mendojnë se Vance mund të penalizohet politikisht nga lidhja e tij e ngushtë me administratën Trump dhe politikat që votuesit kanë ndëshkuar në zgjedhjet e fundit.
“Shprsoj që Rubio të kandidojë. Mendoj se është personi më i mirë për të komunikuar dhe për të bashkuar partinë”, deklaroi kongresmeni republikan Marlin Stutzman.
Ai e cilësoi Rubion si nga figurat më të talentuara të Partisë Republikane, duke theksuar se partia ka nevojë për mesazhe të reja dhe fytyra të reja politike.një
Edhe një senator republikan, i cili foli në kushte anonimiteti, pranoi se rezultatet e zgjedhjeve e kanë vështirësuar pozicionin e Vance.
“Rubio është shpresa jonë më e mirë për t’i nxjerrë republikanët nga kjo situatë. Shpresoj që ai të distancohet nga Trump dhe JD Vance që në fillim të vitit të ardhshëm”, u shpreh një tjetër ligjvënës republikan.
Megjithatë, vetë Marco Rubio nuk ka dhënë asnjë sinjal se synon të hyjë në garën presidenciale. Ai ka deklaruar se nuk dëshiron të flasë më për zgjedhjet e vitit 2028 dhe se është i përqendruar te detyrat e tij në krye të diplomacisë amerikane.
Nga ana tjetër, JD Vance vazhdon të ketë mbështetës të fortë brenda partisë. Disa republikanë argumentojnë se ai mbetet kandidati më i natyrshëm, duke qenë se mban postin e zëvendëspresidentit dhe gëzon mbështetjen e një pjese të rëndësishme të bazës elektorale të Trumpit.
Megjithatë, ajo që bie në sy është se edhe disa prej aleatëve më të afërt të Trumpit në lëvizjen MAGA po shmangin një mbështetje të hapur për Vance si kandidat të ardhshëm të republikanëve.
Në garën e mundshme presidenciale për vitin 2028 po përmenden edhe emra të tjerë të rëndësishëm, si guvernatori i Floridës Ron DeSantis, senatori Josh Hawley dhe senatori Ted Cruz.
Ndërkohë, Rubio përballet edhe me disa pengesa. Ndryshe nga Vance, ai ka mbështetur vazhdimisht luftën me Iranin, një konflikt që mund të ndikojë në imazhin e tij politik. Gjithashtu, republikanët i kujtojnë edhe përpjekjen e pasuksesshme për të fituar nominimin presidencial në vitin 2016.
Vetë Vance ka reaguar duke kritikuar ata që, sipas tij, po ia atribuojnë padrejtësisht përgjegjësinë për humbjen elektorale.
Ai ka pranuar se brenda partisë ka debate dhe përplasje, ndërsa ka lënë të kuptohet se po vihet në diskutim edhe aftësia e tij për të marrë drejtimin e republikanëve në të ardhmen.
Kështu, më pak se dy vite përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028, Partia Republikane po përballet me një garë të parakohshme për pasuesin e Donald Trumpit. Një garë ku Marco Rubio po fiton mbështetje, ndërsa JD Vance po përpiqet të ruajë pozicionin e tij si pretendenti kryesor për Shtëpinë e Bardhë./abcnews
