Rasti i administrimit të drejtësisë: Zgjatet afati për dorëzimin e dosjeve

Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë njoftuar se është zgjatur afati për dorëzimin e dosjeve gjyqësore përfundimtare në rastin “Thaçi dhe të tjerët” lidhur me akuzat për administrimin e drejtësisë.

“Gjykatësi i Vetëm, Kristofer Gosnell miratoi kërkesën e Mbrojtjes së Fazliut për zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjeve gjyqësore përfundimtare, që ishte caktuar fillimisht për 19 qershor 2026. Pasi konstatoi se ishin paraqitur arsye të vlefshme për këtë zgjatje të shkurtër, Gjykatësi Gosnell informoi palët se duhet të përgatiten të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare deri të premten, 3 korrik 2026. Gjykatësi informoi më tej se, nëse vendimi lidhur me apelin e ndërmjetëm për dëshmitarin Koen Herlaar do të lejojë që të mbyllet menjëherë faza e paraqitjes së provave, atëherë pritet që palët të dorëzojnë dosjet e tyre përfundimtare ditën e tretë pas daljes së vendimit të Panelit të Gjykatës së Apelit”, njofton Spcialja.

Sipas Aktakuzës së konfirmuar, së paku midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave jo të privilegjuara në objektin e paraburgimit, Hashim Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial në lidhje me dëshmitarë të ZPS-së, udhëzime për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së dhe hollësi se si duhej ta bënin këtë.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me Smakajn, me Fazliun dhe me Kilajn, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me Kuçin, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.