Rast i rrallë i operimit në QKUK, i shpëtohet jeta shtatzënës
Ka qenë një prej netëve të zakonshme të kujdestarisë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, kur gjinekologët Flora Belegu dhe Memli Morina u thirrën nga Emergjenca për të pranuar një rast shumë të komplikuar.
Një grua shtatzënë në muajin e pestë ishte dyshuar nga mjekët në Pejë se kishte problem me zorrën qorre, pasi që ka filluar intervenimi kirurgjik pacientja është dërguar urgjentisht për në Prishtinë.
Asaj i kishte ndodhur ajo që mjekësia e njeh si ‘placenta previa percreta’ apo kalimi i placentës në thellësi të murit të mitrës.
“Pas hapjes së abdomenit është vërejtur sasi e madhe e gjakut në kavitetin abdominal dhe janë thirrë urgjent ekipi i gjinekologëve. Meqenëse kam qenë kujdestare kam shku në Emergjencë gjatë eksplorimit të kavitetit abdominal kemi vërejtur se ka përforcu placenta, e ka dhanë gjakderdhje masive. Ne kemi qenë të detyruar me hap mitrën edhe ka dal fryti në javën e 20, i cili fatkeqësisht nuk ka dhënë shenja jeta. Pasi e nxorëm placentën për shkak të gjakderdhjes kemi qenë të detyruar me e largu mitrën për me ia shpëtu jetën pacientes”, tha doktoresha Flora Belegu.
Sipas doktoreshës, pacientja ka qenë e re në moshë dhe fatmirësisht ajo tashmë kishte disa fëmijë prandaj largimi i mitrës ka qenë i pranueshëm për shkak të komplikimit të madh.
“Unë në korrik i bëj 34 vjet që punoj në Gjinekologji dhe ky është rasti i dytë që po e shoh me placentë të tillë. Para 7 viteve ka qenë një rast tjetër, por për dallim prej këtij rasti ajo ka ardhë direkt në Gjinekologji, edhe në këtë rast jemi detyru me largu mitrën për me shpëtu jetën e nënës”, tregon doktoresha Belegu.
Mjeku tjetër që ka qenë kujdestar, Memli Morina, thotë se ky rast bën pjesë në ‘kategorinë A’ të rasteve shumë urgjente, të cilët duhet të trajtohen menjëherë pa humbur kohë sepse bëhet fjalë për jetë apo vdekje të pacientes.
“Placenta është një organ që e furnizon me materie ushqyese frytin ajo duhet të ngjitet për mitër por jo të depërtojë në thellësi. Janë tri shkallë të depërtimit, e pacientja në fjalë e ka pasur në shkallën më ekstreme ku placenta ka dalë jashtë sipërfaqes së mitrës. Intervenimi ka qenë i pashmangshëm”, tregon doktor Morina.
Ai thotë se pacientja në fjalë ka pasur disa lindje më herët dhe të gjitha ato janë kryer me prerje cezariane.
Komplikimi si ky është shumë i rrallë por doktori thotë se ndodhë kryesisht te gratë që kanë kryer lindje me operacion.
“Një endometrium, një mur i mitrës pa vragë e ka më të vështirë që placenta të depërtojë, për këtë arsye konsiderohet që gratë që kanë lindje paraprakisht me prerje cezariane janë më të predispozuara që të kenë probleme të tilla. Pa dashtë të shkaktoj panik te gratë që lindin me operacion mirëpo prerjet cezariane një prej komplikimeve të mundshme e kanë placentën percreta që do të thotë placenta e ka depërtu në thellësi murin e mitrës”, shpjegon doktor Memli Morina për kallxo.com.