Policia ka arrestuar një të dyshuar për një rast të plagosjes me armë zjarri të ndodhur në Podujevë më 4 janar të këtij viti.
Sipas raportit shtesë të Policisë, thuhet se i arrestuari dyshohet për armëmbajtje pa leje dhe për lëndim të rëndë trupor, raporton Klankosova.tv.
“Lidhur me rastin, me 17.04.2026 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe nga i njëjti është konfiskuar arma e zjarrit pistoletë e cila dyshohet të jetë përdorur në rast. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.
Rasti ka të bëjë me një përleshje me armë zjarri mes dy grupesh rivale që kishte ndodhur në fillim të këtij viti në Podujevë, gjegjësisht në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku tre persona ishin arrestuar dhe dy të dyshuar kishin ikur nga vendi i ngjarjes.
Në këtë rast, tre persona kishin mbetur të plagosur nga arma e zjarrit që ishte përdorur në këtë rast.
“Rr. Zahir Pajaziti, Podujevë 04.01.2026, 20:30. Është raportuar se pas një mosmarrëveshje janë përleshur në mes vete dy grupe rivale, pesë të dyshuar meshkuj kosovarë dhe një viktimë mashkull kosovar. Gjatë përleshjes njëri nga të dyshuarit ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre ku si pasojë ka plagosur dy nga të dyshuarit dhe viktimën. Dyshohet se në këtë rast kanë marrë pjesë edhe tre persona të tjerë të cilët nuk janë identifikuar dhe gjenden në arrati. Tre nga të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërsa dy nga të dyshuarit tjerë kanë ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhej në raportin e Policisë të datës 5 janar.









