Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ka publikuar raportin e auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) për vitin 2025, ku janë identifikuar një sërë mangësish financiare dhe procedurale që kanë ndikuar në opinionin e auditimit dhe në përputhshmërinë me legjislacionin në fuqi.
Sipas raportit, auditori ka konstatuar mbivlerësime dhe nënvlerësime të të hyrave, si dhe mangësi në regjistrimin e pasurive dhe stoqeve.
” Konkretisht, janë evidentuar mbivlerësime të të hyrave prej 16,308 eurosh, nënvlerësime prej 4,864 eurosh, si dhe nënvlerësim i pasurive dhe stoqeve në vlerë totale prej mbi 2,700 euro.”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Një nga gjetjet kryesore lidhet me tarifat e ankesave. ZKA ka konstatuar se në 13 raste pagesat e tarifave të ankesës ishin më të ulëta sesa niveli i përcaktuar me rregullore, duke bërë që të hyrat të nënvlerësohen për 4,864 euro. Sipas raportit, kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së kontrolleve efektive dhe aplikimit të dispozitave të rregulloreve të shfuqizuara në disa raste.
Raporti evidenton gjithashtu mangësi në regjistrimin e pasurive. Dy pagesa për inventar dhe pajisje në vlerë prej 3 eurosh nuk ishin regjistruar në sistemin “e-Pasuria”, ndërsa materiale shpenzuese në vlerë prej 2,704 eurosh nuk figuronin në sistemin për evidentimin e hyrje-daljeve të stoqeve. Sipas auditorëve, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së koordinimit ndërmjet zyrtarëve përgjegjës dhe problemeve teknike në sistem.
Në aspektin e përputhshmërisë ligjore, auditimi ka konstatuar se në 12 raste ekspertët shqyrtues kanë vonuar përgatitjen e raporteve nga 1 deri në 26 ditë përtej afateve të parapara ligjore. Auditori vlerëson se këto vonesa mund të ndikojnë në shtyrjen e realizimit të projekteve publike dhe të rrisin rrezikun e kontestimeve ligjore ndaj vendimeve të OSHP-së.
Po ashtu, në 54 raste janë evidentuar vonesa në nxjerrjen e vendimeve nga panelet shqyrtuese të OSHP-së. Sipas ZKA-së, vonesat bien ndesh me parimet e transparencës dhe llogaridhënies në prokurimin publik, ndikojnë negativisht në realizimin e projekteve publike dhe mund të shkaktojnë kosto shtesë ligjore.
Raporti thekson se auditimi ka rezultuar me tetë rekomandime, prej të cilave pesë janë të reja dhe tre të përsëritura nga vitet paraprake.
ZKA ka kërkuar nga drejtuesit e OSHP-së forcimin e kontrolleve të brendshme, respektimin e afateve ligjore në trajtimin e ankesave dhe përmirësimin e menaxhimit të pasurive dhe të hyrave.








