Hilmi Jashari, ish-avokat i popullit në Kosovë sot në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova ka folur lidhur me raportin e Komitetit të Odës së Avokatëve për të Drejtat e Njeriut të Anglisë dhe Uellsit dhe reagimin e Gjykatës Speciale, që pretendimet e këtij raporti i quajti të pasakta.
Jashari deklaroi se reagimi i Speciales mund të interpretohet si shenjë nervozizmi, duke shtuar se gjykata do të duhej të ishte më transparente.
“Është shenjë e tillë, mund të interpretohet si nervozizëm i gjykatës. Sa i përket kredibilitetit të këtij raporti, unë mendoj që gjykata mbi të gjitha do të duhej bile të lejonte të ishte më transparente, t’ua mundësojë të gjitha organizatave të tjera që mund të kenë interesim për të përcjell gjykimet, për të monitoruar ato dhe eventualisht për të nxjerrë rekomandime mbi procesin, nëse konsiderohet që është në pajtueshmëri me standardet për të cilat jemi zotuar, apo jo”, tha ai në Klan Kosova.
Ai shtoi se cilësimi i pretendimeve të raportit si të pasakta nga ana e Gjykatës Speciale është problematik, duke theksuar se raporti bazohet në monitorim të vazhdueshëm të procesit.
“Por, si reagim i tillë mua mu duk një qëndrim që i referohet situatës që ka të bëj me pasaktësinë gjoja se të pretendimeve të këtij raporti, e që në anën tjetër mendoj që është paksa problematike për të quajtur pretendime të pasakta, sepse i referohen komplet një procesi që është përcjell në vazhdimësi nga kjo organizatë”, tha Jashari./Klankosova.tv









