Rama: Projekti për Sazanin ka ndryshuar, nuk e mbyllim ishullin

Investimi i dhëndrit të Presidentit të SHBA, Donald Trump, në ishullin e Sazanit është ende në fazën e negociatave me shtetin shqiptar, por ajo çfarë zbuloi kryeministri Edi Rama nga Vlora është që projekti i ndërtimit ka pësuar ndryshime.

“Nuk e kemi përfunduar negociatën për Sazanin. Shteti shqiptar do të jetë pjesë e kompanisë së përbashkët që do të investojë dhe administrojë ishullin. Projekti ka ndryshuar si projekt ndërtimi. Do të ketë shumë pak ndërtime”, tha Rama, shkruan A2.

Operatorët turistikë pyetën Ramën nëse Sazani do të jetë ekskluziv për Jared Kushner dhe Ivanka Trump apo do të kenë mundësi që ishulli të vizitohet edhe nga turistë të tjerë: “Thonë që qeveria ia ka shitur ishullin familjes Trump. Është e pavërtetë. Nuk bëhet fjalë për të mbyllur ishullin. Nuk do të jetë një resort i mbyllur sepse nuk do bëhet rezervat i privilegjuar”.

Nga ana tjetër, në prag të sezonit turistik veror, kryeministri u kërkoi përfaqësuesve të bizneseve në Vlorë që të bëjnë kujdes me çmimet, pasi mund të përballen me braktisje të turistëve. Për të mos u përballur me një situatë të tillë, Rama i këshilloi që çmimet të mos jenë në disbalancë me shërbimin.

Qyteti duhet të jetë i pastër, për këtë duket që nuk mjafton vetëm puna e bashkisë, për këtë arsye ai u kërkoi bizneseve që të pastrojnë edhe jashtë murit të tyre. Rama iu dha edhe këshilla biznesi, sipas tij tashmë në Vlorë më fitimprurëse se sa hotelet është një tjetër investim, parkingjet.

Sipas shefit të qeverisë, ka një rritje të numrit të investitorëve, blerësve dhe turistëve, ndërsa parashikon që në 5 vitet e ardhshme vlera e pronës në Vlorë do të rritet.