Demokracia fitoi në LDK, shumica foli

Pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarja Shqipe Pantina, ka konfirmuar se Lumir Abdixhiku do të vazhdojë të jetë në krye të LDK-së, duke theksuar se vendimi i delegatëve duhet respektuar dhe se procesi ishte plotësisht demokratik.

Në një deklaratë për mediat, Pantina tha se me mbylljen e procesit zgjedhor pret që partia ta lërë pas garën e brendshme dhe të përqendrohet te sfidat politike që e presin.

“Po, përfundoi votimi. Zotëri Abdixhiku vazhdon me mbete, shpresojmë se tash do të flitet për rrugën përpara”, deklaroi ajo.

E pyetur nëse rezultati nënkupton vazhdimin e mandatit të Abdixhikut si kryetar i LDK-së, Pantina u përgjigj prerazi: “Natyrisht, vazhdon me qenë kryetar i LDK-së”.

Ajo e cilësoi rezultatin si një fitore të demokracisë brenda partisë, duke nënvizuar se vendimi i shumicës është mbi qëndrimet individuale.

“Unë i respektoj vendimet e shumicës. Natyrisht edhe për mua zotëri Abdixhiku është kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. S’ka rëndësi a pajtohem unë apo jo, ka folur shumica me një proces shumë demokratik, me një proces shumë të rregullt”, u shpreh Pantina.

Sa i përket pretendimeve për lobim gjatë procesit zgjedhor, ajo tha se nuk mund të komentojë zhvillimet jashtë votimit, por këmbënguli se procesi i votimit ishte i rregullt.

“Sot vota ka qenë demokratike. Çka ka ndodhë lobim nuk e di, vota ka qenë, procesi ka qenë shumë demokratik”, përfundoi ajo.