Qeveria angleze vendos orë policore për rrjetet sociale, adoleshentët gjejnë zgjidhjen

Shumica e adoleshentëve në Mbretërinë e Bashkuar nuk planifikojnë të respektojnë kufizimin e ri të përdorimit të rrjeteve sociale gjatë natës, që pritet të hyjë në fuqi pranverën e ardhshme.

Sipas një sondazhi të Censuswide, rreth 85% e të rinjve 16-18 vjeç thanë se do ta çaktivizojnë opsionin që bllokon automatikisht aksesin në platformat sociale nga ora 00:00 deri në 06:00.

Rreth 45% thanë se duan të komunikojnë me familjen dhe miqtë gjatë natës, ndërsa 37% e bëjnë për të parë përmbajtje online. Ndërkohë, 38% e të rinjve përdorin tashmë VPN, ndërsa një në katër planifikon ta përdorë për të anashkaluar kufizimet, transmeton Klankosova.tv.

Masat u prezantuan nga qeveria britanike si pjesë e rregullave të reja për sigurinë online. Përveç orës policore, për përdoruesit 16 dhe 17 vjeç do të çaktivizohen si parazgjedhje edhe funksione si scroll-i i pafund, video që nisin automatikisht dhe rekomandimet e personalizuara të përmbajtjes.

Ekspertët paralajmërojnë se kufizimet vullnetare mund të mos jenë të mjaftueshme për të mbrojtur të rinjtë nga rreziqet në internet, pasi shumë prej tyre pritet t’i anashkalojnë ose t’i çaktivizojnë ato, shkruan Mirror, transmeton Klankosova.tv.